AlbanianSport.com 09.08.2016 13:25
ASNN – Një ditë pasi Majlinda Kelmendi mori medaljen e artë në kategorinë deri 52 kilogramë, xhudistja tjetër Gjakova nuk arriti më shumë se faza e dytë, ku u mposht nga rumunia Korina Saprioriu. Për të përditshmen e mirënjohur kosovare, “KOHA”, pas kësaj humbje, ka folur kreu i Federatës, Agron Kuka, i cili ka deklaruar se ekipi kosovar ka pritur që Nora të kalonte edhe këtë fazë, por ishte lëndimi në gju që i shkaktoi probleme.
“E dimë se Nora kishte një lëndim në gju dhe ishte problem, – ka thënë Presidenti i Federatës së Xhudos së Kosovës. – Kemi patur shpresë që, dy turet e para do t’i kalonte. Në të dytën pati pak hezitim në fillim, por që u ngjall më vonë. Por e pafat dhe humbi rastin për t’u futur në tetë më të mirat dhe humbi rastin për të fituar medalje.” Ai ka deklaruar se Kosova duhet të ndihet krenare për suksesin e Majlinda Kelmendit.
Për këtë arsye, suksesi i saj nuk do të zbehet nga humbja e Nora Gjakovës. “Ajo që ka ndodhur është histori e veçantë, – ka thënë kreu i organizmit që qeveris xhudon kosovare. – Ka qenë ngjarje që ka gëzuar gjithë kombin. Ngjarja e sotme nuk do ta zbehë medaljen e djeshme. Nora ka kaluar së paku dy vite luftë për t’u kualifikuar në Lojëra Olimpike dhe na vjen keq për paraqitjen e saj sot.”