Gjergj Vyshka 05.08.2016 09:45
Peshëngritësi: “Nuk kam marrë qoftë dhe një lek nga bursa e vjetër e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit. Jam në këto Lojëra falë familjes sime dhe dashamirësve të sportit.” Situata në kampin e ekipit olimpik të Shqipërisë në prag të Lojërave Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” nuk duket se është normale.
Në një status në faqen e tij në “Facebook”, peshëngritësi i Shtërmenit i peshës 69 kg, Briken Calja, ka konfirmuar dhe një herë se ka një krisje mes tij dhe presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani. Sepse ky i fundit ditë më parë ka deklaruar se peshëngritësi është trajtuar me bursë olimpike.
Gjë që për Caljen nuk është e vërtetë, ndërsa është në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” falë kontributit të familjes së tij dhe dashamirësve të sportit të peshëngritjes. Ndaj ai i ka kërkuar Bezhanit që të tërheqë deklaratën e tij, në të kundërt do të japi dorëheqjen nga Lojërat Olimpike, edhe pse ka muaj që është përgatitur për një veprimtari të tillë.