AlbanianSport.com 07.08.2016 10:45
ASNN – Shqipëria do të nisë sonte zyrtarisht konkurrimin në Lojërat e 31-ta Olimpike, që po mbahen në Brazil, dhe e para që do të ngjitet në pedanë, është peshëngritësja Evangjeli Veli. Gara e saj, në kategorinë e peshës trupore deri në 53 kg, do të zhvillohet duke nisur nga ora 20:30 me orën e Tiranës. Ndonëse ishte e fundit e shtuar në listën e pjesëmarrësve në delegacionin olimpik shqiptar në Lojërat e 31-ta Olimpike, që po mbahen në Rio, Evangjeli Veli do të jetë sportistja e parë e kuqezi që do të garojë.
Në fakt, Veli është përfshirë në çastet e fundit në delegacionin kuqezi, falë problemeve me dopingun të peshëngritjes ruse, madje duke mos arritur të parakalonte në ceremoninë e hapjes. Madje, edhe mospajisja e saj me uniformën zyrtare, ka çuar edhe në një përplasje midis Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, përplasje që është pasqyruar gjerësisht në mediat sportive të ditës me akuza të ndërsjella për përgjegjësinë.
Pavarsisht se është një nga sportistet më premtuese të shtangës, pas Fetije Kasës dhe Romela Begajt, Evangjeli Veli ka ardhur në garën e sotme jo plotësisht e përgatitur, por kjo jo për faj të saj. Kjo sepse ajo ka patur shumë pak kohë në dispozicion për t’u përgatitur për këto Lojëra Olimpike, për shkak të rrethanave që u krijuan. Megjithatë, drejtuesit e shtangës kuqezi janë optimistë për një paraqitje pozitive të saj në garën e sotme.