AlbanianSport.com 01.08.2016 22:35
ASNN – Sporti është një nxitës potencial i zhvillimit ekonomik dhe këtë shpresojnë edhe brazilianët si organizatorë të Lojërave të 31-ta Olimpike Verore, që do të nisin pas pak ditësh.
Dhe frytet nuk po vonojnë, sepse është gjithnjë e në rritje numri i turistëve të huaj që kanë zbarkuar në qytetin organizator, Rio De Zhaneiro, duke shpresuar të shijojnë edhe disa ditë plazhi përpara se të ndjekin festivalin sportiv më të madh në planet.
Turistë të ndryshëm nga Evropa kanë përcjellë emocionet e ardhjes për të ndjekur Olimpiadën, por edhe për të vizituar Brazilin. “Si një person që merret me sport, kjo është një përvojë e jashtëzakoshme”, thotë një turiste franceze.
Ndërsa Lidia, një turiste angleze, nuk e fsheh se ishte paksa nervoze para se të vinte në Brazil, por, që kur kishte mbërritur, duke parë edhe nivelin e sigurisë së Lojërave Olimpike, ajo ndjehet më e sigurt.
Po kështu mendon edhe Xhulia, një turiste amerikane, që e pranon se tashmë rreziku i terrorizmit është i pranishëm kudo në botë, por mendon se “Rio 2016”-ta do t’ia dalë me sukses.