Nga Gjergj Vyshka 08.08.2016 19:00
Nuk kishte se si ndodhte ndryshe. Madje ishte krejtësisht e parashikueshme, ndërsa Majlinda Kelmendi, kampione në fuqi e Evropës dhe e Botës, por dhe kryesuese e renditjes së përgjithshme botërore në peshën 52 kg, është medalje e artë në Lojërat Olimpike.
Janë katër fitore të Kelmendit, e orientuar mirë nga trajneri Driton Kuka, i cili kështu ka përmbushur atë ëndërr që në fakt duhet të ishte realizuar që katër vjet më parë, ndërsa në Londër përfaqësonte Shqipërinë. Por tashmë më e sigurt, më e fortë, më e suksesshme dhe Kelmendit nuk i del njeri përpara.
Super ndeshje, të gjithë krenarë, festë në Shqipëri dhe në Kosovë. Dhe Majlinda Kelmendi është krenaria e sportit të Shqipërisë së Madhe. Jep medaljen e parë olimpike për Kosovën, e cila duhet të pasohet dhe nga Nora Gjakova, paçka se deri më tani janë eliminuar Urata Rama, Qëndrim Guri e Rita Zeqiri.
Lot dhe në ngjitjen në podium, por Majlinda Kelmendi është e artë për të gjithë sportin shqiptar. Tashmë duhet të mësojë Shqipëria nga Kosova për trajtimin dhe përgatitjen e sportistëve olimpistë. Një shuplakë e madhe medalja olimpike e Majlinda Kelmendit, por që na bën krenarë të gjithë.