Gjergj Vyshka 24.08.2016 07:55
Sot pjesa e fundit e delegacionit olimpik shqiptar. Bëhet fjalë për peshëngritësin Briken Calja e trajnerin e tij Leonard Toska, për shtangisten Evangjeli Veli dhe trajnerin Sokol Bishanaku, atletët Luiza Gega e Izmir Smajlaj, si dhe trajnerët Taulant Stërmasi dhe Vildan Tufi, si dhe Nikol Merizajn e trajnerin Sadik Mema. Pa harruar mjekun Mel Ostreni, presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, shefin e misionit Gjergji Ruli dhe zyrtarin Kliton Muça.
E duke qenë se ishte sporti më i sukseshëm për ne në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” me vendin e 5-të të Briken Caljes në peshën 69 kg dhe vendin e tetë të Evangjeli Velit në peshën 53 kg, atëherë peshëngritja shqiptare ka menduar ta kthejë në pestë dhe t’i presë ndryshe sportistët e vet. Ndaj dhe Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Agron Haxhihyseni, nëpërmjet një mesazhi telefonik për anëtarët e këtij institucioni, si dhe mediet sportive ka lajmëruar një të tillë.
“I nderuar anëtar i FSHP-së. Së bashku me kënaqësinë e përshëndetjes me ju, ju informoj se delegacioni kombëtar i peshëngritjes pjesëmarrës në “Rio 2016” vjen sot në ora 11:00 në Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit. Suksese dhe respekte pa kufi…”, – shkruan Haxhihyseni në “sms”-në e tij.