AlbanianSport.com 22.08.2016 07:55
ASNN – Festivali më i madh sportiv në planet, Lojërat Olimpike, ka mbyllur në orët e para të mëngjesit të sotëm, me orën e Tiranës, edicionin e saj të 31-të. Ceremonia e mbylljes ishte konceptuar në trajtën e një feste pas Olimpiadës dhe ka patur si lajtmotiv të saj muzikën dhe numrat koreografikë. Sikundër çdo veprimtari madhore sportive ndërkombëtare, dhe Lojërat Olimpike “Rio 2016”, u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në një transmetim maratonë prej 20 ditësh.
Lojërat e 31-ta Olimpike Verore, “Rio 2016”, që sikundër çdo veprimtari madhore sportive ndërkombëtare, u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, kanë ulur siparin e tyre në orët e para të mëngjesit me orën e Tiranës. Pas 20 ditëve gara, pasi disa sporte e nisën konkurrimin pak ditë para ceremonisë së hapjes, festivali më i madh sportiv në planet është mbyllur me një tjetër ceremoni.
Ashtu sikundër ceremonia e hapjes, e cila theu një sërë tabush sa i përket kostos, por edhe konceptit dhe mesazheve që përcolli, edhe ajo e mbylljes, siç pritej, ka patur risi të tjera. E konceptuar në trajtën e një feste pas Olimpiadës, kjo ceremoni e mbylljes ka patur si lajtmotiv të saj muzikën dhe numrat koreografikë. Edhe parakalimi i sportistëve ka qenë i lirshëm dhe joformal, nën tingujt e muzikës dhe duke promovuar ekzistencën e përbashkët, pa kufinj dhe ndasi, përtej konkurrencës sportive.
Natyrisht, nuk ka munguar pjesa protokollare, e kalimit të stafetës së organizimit të Lojërave Olimpike nga Rio De Zhaneiro tek Tokjo, kryeqytetit të Japonisë, që do të jetë mikpritëse e edicionit të 32-të më 2020-ën dhe që ka bërë edhe një prezantim të shkurtër, por të jashtëzakonshëm.