AlbanianSport.com 10.08.2016 08:50
ASNN – Peshëngritësi Briken Calja, i cili ka garuar sot në kategorinë e peshës trupore deri 69 kg për meshkuj, është renditur i 6-ti në dygarësh, duke qenë 3 vende më lart sesa në Olimpiadën e mëparshme, “Londër 2012”. Po kështu, edhe rezultatin e ka më të lartë se sa në “Londër 2012”, sepse ka qenë 320 kg para katër vjetësh, ndërsa tanimë është 326 kg.
Emocionet e garës së tij, sikundër e gjithë kjo Olimpiadë e Rios, u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Në garën që ka nisur pak pas mesnate, Briken Calja është renditur i gjashti në Olimpiadë, duke qenë kështu më i miri i kuqezinjve deri më tani në Rio. 145 kg të ngritura në stilin e shkëputjes dhe 181 kg në atë të shtytjes, kanë bërë që, në total, në dygarësh ai arrijë 326 kg.
Shtangisti shtërmenas, i cili ka garuar në kategorinë e peshës trupore deri 69 kg për meshkuj, është renditur kështu i 6-ti në dygarësh, duke qenë tre vende më sipër sesa në Olimpiadën e mëparshme, “Londër 2012”. Po kështu, edhe rezultatin e përgjithshëm e ka më të lartë se sa në “Londër 2012”, sepse ka qenë 320 kg para katër vjetësh, ndërsa tanimë është 326 kg.
Ndërkohë, ai ka barazuar kështu edhe rezultatin e Romela Begajt, e cila u rendit e 6-ta në “Pekin 2008”. Calja e ka nisur mirë garën në shkëputje, teksa ka realizuar pastër dhe pa asnjë vështirësi provën e parë me 145 kg, por i djeg dy provat e tjera, me 151 kg, duke u renditur i teti në këtë stil. Edhe në shtytje e ka nisur mirë. Prova e parë është 175 kg.
Në të dytën ka pritur dhe kundërshtarët e tjerë për të realizuar provën e tij me 181. Ka qenë ndoshta e tepruar tentativa për të rritur shtangën me tre kilogram, në 184 kg, por as nuk e vë në gjoks, ndërsa është një provë e dështuar. Sa i përket podiumit, Shi Zhi-xhong i jep medaljen e 8-të të artë Kinës, Turqia merr medaljen e parë me të argjendtën e Ismailovit e po kështu edhe Kirgiztani me të bronztën e Artikovit.
Vendi i 6-të i Caljes, duke shtuar këtu dhe vendin e tetë të Evangjeli Velit, janë sukses për peshëngritjen shqiptare, që përtej problemeve të shumta me dopingun, doli me kokën lart nga Rio 2016.