Gjergj Vyshka 14.08.2016 07:55
Etiopiania Almaz Ajana, e jashtëzakonshme në 10,000 metra teksa ka thyer rekordin e botës me 14”33 të qindtat. Ftesë Luiza Gegës: “Eja me mua në Lozanë më 25 gusht, dua të thyj rekordin botëror të 3,000 metrave”. Trajneri i Luiza Gegës, Taulant Stërmasi, zbulon një detaj të jashtëzakonshëm. Kampionia olimpike i ka bërë ftesë nënkampiones së Evropës në 3000 metra me pengesa: “Eja me mua në Lozanë më 25 gusht, sepse dua të thyej rekordin e botës në 3000 metra me pengesa”.
Që do të thotë se njeh aftësitë e cilësitë e Luiza Gegës, e cila në Shqipëri është rekordmene kombëtare në 800, 1,500, 3000 me dhe pa pengesa, 5,000 metra dhe 10.000 metra. Ndaj e kërkon si “lepur”, gjë që duket se Gega dhe trajneri i saj Stërmasi e kanë pranuar. “Ka kohë që është afër rekordit të botës, – zbulon Stërmasi nga Rio. – Është super e talentuar dhe atlete e madhe. Më ka kërkuar që Luiza ta ndihmojë që të thyejë rekordin e botës në 3,000 m drejt dhe Luiza të vrapojë me të deri në 2,000 m”.
“Nëse nuk kemi shqetësime në tendinë, do të vrapojnë së bashku në Lozanë më 25 gusht”. Pyetjes sonë se a ka mundësi thyerje rekordi kombëtar në Lozanë më 25 gusht të 3,000 metra, miting i Çmimit të Madh të Federatës Botërore të Atletikës, Stërmasi do t’i përgjigjej: “Nëse vrapon që të ndihmojë Ajanën jo, sepse duhet të vrapojë shumë shpejt në 2000 metra, me një ritëm të frikshëm 5 minuta e gjysmë. Dhe më pas e ka të pamundur që ta përfundojë garën. Megjithatë gjithçka lidhet me tendinin e Akilit.”