AlbanianSport.com 07/01/2018 23:15
ASNN – Liga e Kampioneve dhuroi emocione të forta dhe surpriza në javën e katërt të saj në fazën e grupeve, ku padyshim ra në sy disfata e Juventusit brenda në Torino përballë Mançester Junajtid në grupin H, duke u mundur 1-2. Ishte një ndeshje e dominuar nga fillimi në fund prej skuadrës angleze, e cila u ndal në pjesën e parë nga shtyllat horizontale e në pjesën e dytë nga fati që të realizonte shumë gola. Sidoqoftë, i rikthyeri i madh Kristiano Ronaldo la gjurmë me një gol të mrekullueshëm në minutën e 65-të.
Atëherë kur pritej që Juventusi të shënonte golin tjetër ose më e pakta ta mbyllte me fitore 1-0, vjen përmbysja e madhe e anglezëve. Fillimisht një goditje dënimi në kufijtë e zonës e ekzekutuar mjeshtërisht nga Huan Mata në minutën e 86-të barazoi shifrat, kurse në minutën e 90-të, një krosim në zonë pa pretendime bën që Bonuçi e Aleks Sandro të mos jenë të kujdesshëm e të shtyjnë topin në rrjetën e tyre. Fitojnë anglezët 1-2, por Juventusi mban vendin e parë. Në të njëjtin grup, Valencia mundi Jang Bojs me shifrat 3-1 dhe ngjalli shpresat e saj për kualifikim.
Sepse ka tani katër pikë, por edhe një duel direkt me Mançester Junajtid. Sidoqoftë, fitorja e djeshme e ekipit të Murinjos e ndihmon atë të hedhë një hap drejt kualifikimit. Në grupin E, spikati fitoja e Bajernit të Myniht, 2-0 ndaj AEK-ut të Athinës, ku të dy golat i shënoi polaku Levandovski. Me këtë fitore, Bajerni praktikisht u kualifikua që tani për në turin tjetër, atë të 16-shes. Në të njëjtin grup, Benfika barazoi me Ajaksin 1-1, por me holandezët dukshëm favoritë për t’u kualifikuar, pasi kanë 8 pikë, ndërsa Benfika ka 4 pikë.
Në grupin F, Mançester Siti shkatërroi 6-0 Shakhtjorin ukrainas, duke shkuar në 9 pikë dhe praktikisht i kualifikuar, ndërsa Lioni i habiti të gjithë, teksa po fitonte 2-0, barazohet nga Hofenhaimi në minutat e fundit 2-2, duke ndërlikuar situatën e kualifikimit. Në grupin G, Reali i Madridit mund të konsiderohet i ringjallur, pasi dje fitoi 0-5 në Republikën Çeke përballë Viktorias së Pëlzenjit, ku shkëlqyen sulmuesit Karim Benzema dhe Gareth Bejl me nga dy gola secili. Në të njëjtin grup, Roma fitoi në Rusi përballë CSKA-së së Moskës 2-1 dhe me 9 pikë në renditje, sikurse dhe Reali, është pothuajse edhe matematikisht në turin tjetër.
Renditja në grupe
Grupi E
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Bajern Mynih 10
- Ajaksi 8
- Benfika 4
- AEK Athinë 0
Grupi F
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Mançester Siti 9
- Lion 6
- Hofenheim 3
- Shakhtjor Donjeck 2
Grupi G
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Real Madrid 9
- Roma 9
- CSKA Moskë 4
- Viktoria Plzenj 1
Grupi H
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Juventus 9
- Mançester Junajtid 7
- Valencia 5
- Jang Bojs 1