AlbanianSport.com 25.08.2015 12:05
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat kosovare, Dardan Berisha nuk do të luajë në “Eurobasket 2015”. Vendimi që basketbollisti më i mirë kosovar të mos luajë për Poloninë në Evropianin e muajit të ardhshëm është marrë të hënën.
Më herët, Berisha ishte konfirmuar si pjesë e 12-shes që do të përfaqësonte Poloninë në “Eurobasket”, por situata ka ndryshuar në ditët e fundit. Pas zhvillimeve të fundit erdhi vendimi që Berisha të lërë vendin në skuadër për një basketbollist tjetër.
Vendimi që Berisha të largohet u mor nga trajneri i Polonisë, Majk Tajlor, në pajtim të plotë me lojtarin, shkruan sot e p[rditshmja e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore”. Berisha ka treguar se ishte vetë ai që kërkoi takim me trajnerin Tajlor.
Ishte ky takim që “prodhoi” largimin e tij nga ekipi përfaqësues. Në vend të basketbollistit pejan është ftuar Robert Skibnievski, lojtar që ishte larguar javë më parë nga përfaqësuesja.
Arsyeja për largimin e Berishës ishte aktivizimi në pozitë jo të natyrshme për të. Berisha luan si fundor (2), ndërsa te Polonia është aktivizuar si organizator (1). Por, si organizator, ai ishte vetëm zgjedhja e tretë, pas A. Xh. Sloter dhe Lukash Kozharekut.