Gjergj Vyshka 20.09.2015 10:25
Shqipëria mori pjesë për herë të parë në historinë e vet në Kampionatin Botëror të Sportit të Radio-Amatorizmit, i cili u zhvillua në Ohër të Maqedonisë. Në këtë Kampionat historik për vendin tonë, Shqipëria u paraqit me tre sportistë dhe zuri vendin e 17-të. Përpos renditjes ekipore, tre sportistët zunë vende nderi në aspektin personal. Kështu Kujtim Çela u pozicionua në vendin e 10-të me 162 pikë të grumbulluara në disiplinën “transmetim”.
Fatos Demeti doli i 11-ti në disiplinat “Morse Runner”, atje ku grumbulloi 826 pikë dhe në disiplinën “RufzXP” mori 13665 pikë. Drini Dervishi në disiplinën më të vështirë “ZEUS” zuri vendin e 12-të, me 160 pikë të grumbulluara. Duke qenë se kjo ishte hera e parë që u mor pjesë në një Kampionat Botëror për sportin e radioamatorizmit mund të konsiderohet sukses edhe pjesëmarrja. Sepse për të marrë pjesë fillimisht duhet të kapësh normat.
Duhet thënë se ky sport i përket më së shumti periudhës së diktaturës komuniste, e cila e promovoi edhe për arsye spiunazhi dhe tani pothuajse është shkatërruar plotësisht, por dëshira dhe pasioni i disa njerëzve po tentojnë ta rikthejnë sërish. Për këtë gjë kërkohet ndihma edhe e Bashkive të qyteteve të mëdha që e kanë pasur traditë në të kaluarën, si edhe e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve për të siguruar bazën material dhe klasa sportive për të kryer stërvitje.