AlbanianSport.com 18.10.2016 10:30
ASNN – Fusha e dëmtuar e Stadiumit të sapondërtuar “Loro Boriçi” në Shkodër, do t’i rikthehet shumë shpejt normaliteti. Kështu është shprehur Përgjegjësi i Sektorit të Terreneve Sportive në FSHF, Pal Dajçi. Firma greke që ka shtruar tapetin e blertë të fushës, ka filluar punën për mbjelljen e barit të ri dimëror. Sipas tyre, më 12 nëntor 2016, kur Kombëtarja do të luajë me Izraelin, fusha do të jetë gati.
Stadiumi “Loro Boriçi” ka mbyllur dyert deri në muajin nëntor. Pretendimet e përfaqësueses spanjolle për gjendjen aspak të mirë të fushës, kanë vënë në lëvizje Federatën Shqiptare të Futbollit, të cilët së bashku me drejtuesit e firmës greke që janë marrë me shtrimin e tapetit, kanë filluar punën për mbjelljen e barit të ri. Përgjegjësi i Sektorit të Terreneve Sportive pranë FSHF-së, Pal Dajçi, shpjegoi për Televizionin Shqiptar procedurën që po ndiqet për rikthimin në normalitet të fushës.
Fusha e Stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës do të jetë gati më 12 nëntor 2016, kur Kombëtarja shqiptare do të luajë ndaj Izraelit, ndeshjen e radhës të vlefshme për grupin G të Eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018”.