Gjergj Vyshka 04.01.2016 08:30
Mungojnë në këtë listë mundja, shahu, qitja, karateja, gjimnastika, taekuondoja ITF, pingpongu, tenisi dhe disiplina të tjera sportive që përfaqësohen dhe ndërkombëtarisht. E megjithatë kjo anketë do të pasohet nga të tjera. Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar ka rikthyer traditën e munguar në sportin shqiptar të shpalljes së fituesve të Anketës së 10 sportistëve më të mirë të vitit. Një anketë për 17 vite, të paktën sipas kryeredaktorit të fundit të gazetës më të vjetër sportiv në vend, Besnik Dizdari, është bërë nga “Sporti Popullor” e më pas “Sporti Shqiptar”. E me nismën e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, i cili ka gjetur mbështetjen e kompanisë “Hermes Association” dhe “Vodafone”, pas ardhjes së emrave nga Federatat Sportive, janë shpallur edhe fituesit.
Sigurisht që në këtë përzgjedhje, ku baza kanë qenë rezultatet e vitit 2015 në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, kanë munguar shahu, mundja, qitja, karateja, gjimnastika, taekuondoja ITF, pingpongu, tenisi dhe disiplina të tjera sportive, që janë anëtare të KOKSH. Në fjalën e tij përshëndetëse presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, do të deklaronte: “Më duhet t’iu falënderoj të gjithëve për atë që po bëni, sepse sporti është duke i përballuar mirë të gjitha sfidat. Sporti dhe trajnerët kanë dhënë maksimumin dhe kanë arritur më shpejt në Evropë. Së pari janë tre shtylla në të cilën gëzohet sporti shqiptar, kualifikimi i kombëtares në “Francë 2016”, Medaljet e Luiza Gegës në Baku në Lojërat e para Evropiane, si dhe kompleksi sportiv.”
“Të gjitha këto na bëjnë që ta kemi kapur Evropën dhe botën më shpejt se politika”, – ka shtuar Bezhani. Është ekzekutuar himni kombëtar, ndërsa trupat e baletit i kanë dhënë ngjyra të tjera spektaklit, që është zhvilluar në mjediset e hotel “Sheratonit”. Figura të arsimit si Nora Malaj, Rauf Dimraj, Dhori Kule dhe Shezai Rrokaj, por dhe të sportit tonë që nga Ela Tase, Erald Dervishi, Skënder Anxhaku, Xhelil Musa, Majlinda Pilinçi, Agron Cuka, Gjergji Ruli, Erlind Pëllumbi, Mark Krroqi, Besim Hasani, Flobenc Dilaveri dhe Ilir Shulku kanë vlerësuar fituesit duke i dorëzuar trofetë. Batuta e Pilinçit, teksa lauronte Sabien Lilajn: “Nëse do të kishte futbolliste në kohën time me futboll do të isha marrë”. Por në të njëjtën kohë ka ardhur si një homazh nga Gjergji Ruli për largimin nga kjo jetë e Mirjan Hakanit dhe Gëzim Panaritit.
Dhe në fund deklarata e presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, që nga Shqipëria mësojnë të gjithë: “Dua t’iu përshëndes për këtë anketë. Është një ambient që më pëlqen e po kështu është një model që të rinjtë e Kosovës duhet ta marrin prej këtu”. E jo vetëm kaq ka ardhur dhe deklarata e sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, për kombëtaren shqiptare në Evropian: “Ëndrra vazhdon, ndërsa premtimi im është që kombëtarja do të japi maksimumin në Francë”. Kësisoj viti 2015 është mbyllur me shpalljen e dhjetë sportistëve më të mirë të vitit, teksa Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar duhet ta vazhdojë këtë traditë për të mos e lënë këtu…