AlbanianSport.com 12/05/2020 19:55
ASNN – E para do të jetë Gjermania, ndërsa e dyta… Republika Çeke! Dy nivelet më të larta të kampionatit çek të futbollit do të rikthehetn në fushat e blerta më 23 maj, pasi është arritur një marrëveshje me klubet për të vazhduar edicionin që është ndërprerë në mesin e mars për shkak të epidemisë së virusit korona. Këtë e ka bërë të ditur të martën Shoqata e Ligës së Futbollit në Republikën Çeke.
Rifillimi e bën kështu kampionatin çek njërin prej të parëve në Evropë që kthehet pas shpërthimit të epidemisë së virusit korona. Ai e pason Bundesligën gjermane, që rikthehet këtë të shtunë. Klubet çeke fillimisht do të luajnë pa tifozë nëpër stadiume, para se të lejojnë një numër të kufizuar të sportdashësve në një fazë të mëvonshme. Lojtarët do të vazhdojnë t’iu përmbahen rregullave strikte të distancës.
Kjo vlen ndër të tjera gjatë udhëtimit, kurse do të qëndrojnë të vetëm në dhomat e hoteleve. Përgjegjësit mjekësore do të monitorojnë ndeshjet dhe secili që del pozitiv për virusin korona duhet të qëndrojë në karantinë. Nuk përjashtohet mundësia e izolimit të të gjithë ekipit. Kampionati nuk do të shpallë “kampion” dhe nuk do të ketë rënie, nëse sezoni nuk do të përmbyllet dot.
Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, plani është që të luhen dy javë brenda një jave kalendarike dhe që kampionati të përfundojë më 18 korrik 2020. Kontratat e lojtarëve që ishin të vlefshme deri në fund të qershorit, por tani do të jenë të vlefshme deri në përfundim të edicionit. Ditët e fundit, në Republikën Çeke janë lehtësuar shumë masat e kufizimit për shkak të virusit “Covid-19”. Ky vend ka raportuar 8,198 të prekur dhe 282 të vdekur.