AlbanianSport.com 10.10.2015 10:45
ASNN – Emocionet sportive rikthehen sonte në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, me takimin e orës 20:45, midis Republikës Çeke dhe Turqisë. Ky takim, i vlefshëm për grupin A të Eliminatoreve të Evropianit “Francë 2016”, vë përballë dy skuadra me synime të kundërta në këtë fazë të Eliminatoreve.
Çekët ndajnë kreun e renditjes me Islandën, duke qenë të dyja palët të kualifikuara për në Evropianin teksa kanë mbetur edhe 2 ndeshje për t’u luajtur dhe asnjëra nuk mund të arrihet nga ndjekësja më e afërt.
Ndërkohë, Turqia lufton për të mbrojtur vendin e tretë të renditjes dhe, bashkë me të, edhe të drejtën për të shpresuar për t’u kualifikuar për në Evropian nëpërmjet “play-off”-it.
Turqit, që hëpërhë kanë 12 pikë, ndjejnë nga pas presionin e Holandës, që është vetëm 2 pikë prapa. Sonte luhen edhe takimet e tjera në grupin A dhe në grupin H, ndërsa nesër luhen takimet e grupeve D, F dhe I.
Siç dihet, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë të dielën takimin midis Armenisë dhe Shqipërisë, ndërsa të hënën, do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt takimin midis Ukrainës dhe Spanjës.