AlbanianSport.com 25/10/2018 18:30
ASNN – Kombëtarja nën drejtimin e trajnerit Kristian Panuçi vetëm po humbet pozicione në renditjen e FIFA-s. Edhe për muajin tetor kuqezinjtë humbasin tre vende, duke qenë në rënie të lirë. Një muaj më parë skuadra përfaqësuese e Shqipërisë ishte në vendin e 57-të, kurse për muajin tetor ka zbritur në vendin e 60-të.
Një rënie e ndjeshme që erdhi si pasojë e humbjes me Izraelin 2-0 më 14 tetor në Biir Sheva, në kuadër të Ligës së Kombeve. Atë që nuk e bën Shqipëria po e realizon Kosova, e cila, edhe pse nuk ka ngritje spektakolare, vijon të përparojë, ku për këtë muaj ka përmirësuar një pozicion.
Dhe tani ndodhet në vendin e 137-të në renditjen e skuadrave përfaqësuese në FIFA. Rënia e ritmit të lartë të ngjitjes për Kosovën u ndikua nga barazimi i fundit 1-1 ndaj Ishujve Faroe. Ndërkohë, në renditjen e përgjithshme ka një ndryshim pozicioni për vendin e parë, pasi ka rënë Franca dhe kreun e ka marrë Belgjika.
Francezët, kampionë në fuqi të botës, zbresin në vendin e dytë. Në vend të tretë renditet Brazili e fill pas tyre në vend të 4-t ndodhet finalistja e mundur e Botërorit 2018, Kroacia. Anglia dhe Uruguaji ndajnë vendet 5 dhe 6, kurse 10-shja e të parëve plotësohet nga Portugalia, Zvicra, Spanja dhe Danimarka.