AlbanianSport.com 02.06.2016 17:55
ASNN – Kombëtarja shqiptare ngjitet tre vende në renditjen e FIFA-s dhe “Euro 2016”-ta i gjen kuqezinjtë në vendin e 42-të. Në renditjen më të fundit, skuadra kuqezi është ngjitur tre vende dhe kjo si pasojë e fitores 3-1 në miqësoren e fundit kundër Katarit.
Sidoqoftë, ky përmirësim nuk i ka mjaftuar përfaqësueses shqiptare, e cila renditet e fundit mes 24 skuadrave finaliste të “Euro 2016”. Sa i përket rivalëve të grupit A, Zvicra renditet më mirë nga të gjithë, duke mbajtur vendin e 15-të.
Dy pozicione më poshtë klasifikohen organizatorët e Francës, ndërsa vendin e 22-të mban Rumania. Renditja e përgjithshme botërore e FIFA-s kryesohet nga Argjentina, e ndjekur nga Belgjika dhe Kolumbia.