AlbanianSport.com 22/01/2021 21:40
ASNN – Të pranishëm në ceremoninë që u zhvillua sot në mjediset e Stadiumit “Arena Kombëtare”, ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Rektori i UST-së, Agron Kasa, përfaqësues të Universitetit të Sporteve dhe Federatës së Futbollit. Në fjalën e tij, Rektori i Universitetit të Sporteve të Tiranës theksoi se kjo është marrëveshja më e rëndësishme që ai ka firmosur që nga dita kur është dekretuar si Rektor. “Duke përfaqësuar Universitetin e Sportit, sinqerisht për të gjithë pjesëmarrësit, por veçanërisht për ju, dua t’ju them që kjo është marrëveshja më e rëndësishme që kemi arritur të firmosim që nga dita që unë jam dekretuar si Rektor”, – ka thënë ai.
“Ndihem i plotësuar sepse ka qenë një angazhim i kahershëm, ka qenë një objektiv i shumë kohëve më përpara, në mënyrë që marrëdhënia midis Universitetit të Sporteve dhe Federatës së Futbollit duhet të kalonte nëpërmjet një procesi jo vetëm të zyrtarizuar, që kemi ardhur në vigjilje të saj tani, por të një bashkëpunimi, ashtu sikurse edhe ju cituat më lart elementët kryesorë që kjo marrëveshje do të ketë, – ka vijuar Kasa. – Kur kemi bërë takimin e parë në Universitet, ne ramë dakord që në Universitetin e Sporteve do të realizohet një master profesional për trajnerin atletik (trajnerin e përgatitjes fizike) dhe kemi punuar intensivisht.”
“Është futur pjesë e këtij masteri dhe kur të vijë momenti që të fillojë të aplikohet do të jetë pikërisht Federata e Futbollit që do të jetë pjesë e dhënies së këtyre leksioneve, praktikave, seminareve, ashtu siç e keni konceptuar ju, – ka sqaruar drejtuesi i këtij institucioni të lartë arsimor. – Nga kjo pikëpamje gjykojmë që kemi arritur suksesin e parë të marrëveshjes dhe të marrëdhënieve. Ky master nuk është vetëm thjesht një master për trajnerët, por ky është edhe masteri që do të bashkojë në një produkt të përbashkët të gjithë trajnerët dhe specialistët e FSHF-së me stafin akademik të UST-së.”
“Këta që do të vijnë duke përfaqësuar Federatën e Futbollit do të jenë trajnerët italianë që ju keni përfshirë në këtë kurs, mund të jenë trajnerët dhe specialistët që ju keni, është e drejta juaj që po bëjmë një bashkim, që në këndvështrimin tim, në UST, që prej 60 vitesh që është krijuar, nuk ka ndodhur ndonjëherë, – ka vijuar ai. – Kjo është risi jo vetëm si koncept por edhe si bashkëpunim. Unë ju falënderoj për të gjitha fjalët që thatë, për të gjithë angazhimet që keni marrë, mbështetjen që na keni dhënë deri tani sepse vetëm prezenca juaj në krah të procesit të zhvillimit dhe përmirësimit të Universitetit të Sporteve është një sukses i madh për Universitetin tonë.”
“Ju falënderoj dhe i uroj suksese Federatës dhe gjithë stafit që do të punojë për realizimin e këtij procesi. Faleminderit!”, – përfundoi Rektori i UST-së, Agron Kasa, fjalën e tij.