AlbanianSport.com 13/01/2019 23:15
ASNN – Lionel Mesi ishte sërish protagonist në duelin e së dielës midis Barcelonës dhe Eibarit, në kuadër të javës së 19-të të kampionatit spanjoll, një duel i fituar prej katalanëve me rezultatin 3-0. Uruguajani Luis Suarez shënoi dy gola, kurse Mesi realizoi një gol.
Por ky gol mjafton për ta ngjitur të mbiquajturin “Pleshti” në kuotën e 400 golave në La Liga të Spanjës, i pari që e kap këtë shifër në kampionatin spanjoll dhe të gjithë golat i ka shënuar me katalanët. Futbollisti argjentinas bëhet lojtari i parë dhe i vetëm që e kap këtë shifër brenda kampionatit spanjoll.
Madje 31-vjeçari Leo Mesi bëhet lojtari i dytë pas Kristiano Ronaldos që ka realizuar 400 gola në 5 ligat më të forta të Evropës (Angli, Francë, Itali, Gjermani dhe Spanjë). Duhet thënë se Mesi e realizon këtë rekord domethënës të karrierës së tij, pra golin e 400-të, në ndeshjen e tij të 435-të në kampionatin elitar spanjoll.
Më shumë se Mesi në 5 ligat kryesore të kontinentit të vjetër ka shënuar kristiano Ronaldo, i cili ka realizuar 409 gola në 507 ndeshje, por mosha e Mesit, dy vjet më i vogël se Ronaldo, e lejon argjentinasin të jetë favorit për ta thyer këtë rekord në vazhdim, megjithëse të dy futbollistët vijojnë të jenë në formë dhe po shënojnë shumë gola për ekipet e tyre.