AlbanianSport.com 28/02/2022 17:55
ASNN – Komiteti Olimpik Ndërkombëtar u rekomandon masën e skajshme Federatave sportive. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka sugjeruar që sportistët dhe zyrtarët nga Rusia dhe Bjellorusia nuk duhet të marrin pjesë në asnjë veprimtari sportive ndërkombëtare, ndërsa ka bërë të ditur se e ka tërhequr Urdhërin Olimpik që i ka dhënë Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Këto hapa erdhën pas një mbledhjeje të Bordit Ekzekutiv të organizmit që qeveris lëvizjen olimpike botërore, ku u diskutuar sulmi ushtarak mbi Ukrainë.
Në rastet ku sportistët rusë dhe bjellorusë nuk mund hiqen nga konkurrimi, ata duhet të marrin pjesë si sportistë neutralë, u ka rekomanduar IOC-ja federatave sportive ndërkombëtare anëtare të saj. Kjo nënkupton se asnjë sportist apo skuadër nuk do të lejohet të marrë pjesë nën emrin e Rusisë apo Bjellorusisë, duke mos lejuar as përdorimin e simboleve dhe ngjyrave kombëtare, flamujve apo himneve kombëtare. Kjo e fundit mund të prekë pjesëmarrjen e këtyre dy vendeve në Paralimpiadën e Pekinit, që nis pas pak ditësh.
Kjo është një masë që është vënë më herët në zbatim, për shkak të skandalit rus të dopingut, por tanimë po shkohet drejt përjashtimit të tyre nga gara. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar deklaroi se zakonisht sportistët nuk janë dënuar për veprimet e qeverisë së tyre, për sa kohë që ata vetë nuk marrin pjesë në këto veprime, por lufta në Ukrainë është një përjashtim i jashtëzakonshëm, dhe se IOC-ja e ka bërë këtë rekomandim që “të mbrojë integritetin e veprimtarive sportive mbarëbotërore dhe për sigurinë e pjesëmarrësve”.
Organizmi që qeveris lëvizjen olimpike botërore e ka dënuar shkeljen nga ana e Rusisë dhe Bjellorusisë të “Armëpushimit Olimpik”. Po kështu, IOC-ja u ka bërë thirrje Federatave Ndërkombëtare që t’i zhvendosin apo anulojnë veprimtaritë e planifikuara për t’u zhvilluar në Rusi apo Bjellorusi. Ndërkaq, është tërhequr edhe Urdhëri Olimpik, medalja më e lartë që jep IOC-ja, që i ishte dhënë presidentit rus në vitin 2001, por edhe Urdhërat e Arta Olimpike, që u janë dhënë zv/Kryeministrit Dmitry Çernjishenko dhe zv/shefit të Kremlinit, Dmitry Kozak.
Tanimë fjalën e kanë federatave sportive ndërkombëtare, e sidomos vëmendja është përqendruar tek FIFA.