AlbanianSport.com 11/11/2020 20:05
ASNN – Ka zgjedhur të eksperimentojë dhe natyrshëm ka qenë i kënaqur, sepse rezultati, por edhe paraqitja e të besuarve të tij ia përligjën zgjedhjet. Trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja ka pohuar se miqësorja e së mërkurës ndaj Kosovës, i shërbeu atij për të bërë një vlerësim për të rinjtë. Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri kuqezi sqaroi edhe situatën e kapitenit në Kombëtares. “Na u desh të bënim një vlerësim për të rinjtë, na shërbeu shumë për ta kjo ndeshje”, – ka deklaruar ai, duke folur pas fitores në derbin gjithëshqiptar.
“Duhet të kemi parasysh që Kosova është një skuadër shumë e mirë, ne po punojmë për projektin e së ardhës, – ka vijuar ai. – Sot punuam për mbrojtjen dhe bëmë shumë mirë, ishte një mundësi e mirë për të parë lojtarët. “Kapiteni? Kapiteni e kemi thënë edhe herë të tjera, është Etrit Berisha, – ka deklaruar trajneri italian, paksa i bezdisur nga një pyetje që i është dukur e pavend. – Kjo zgjedhje është bërë me votim dhe ata e kanë zgjedhur, nuk ka çështje në këtë mes.”
“Nëse Berisha nuk do të jetë në fushë atëherë, Hysaj do ketë shiritin”, – ka shtuar 75-vjeçari, i cili është pyetur nga ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata, edhe për mosaktivizimin që nga fillim të Sherif Kallakut. “Kallaku është një lojtar prej të cilit presim shumë, – është përgjigjur strategu kuqezi. – Sot preferova të aktivizoja Selahin, Ne duhet të jemi të kujdesshëm për ndeshjet e radhës. Ndihem mirë kur ai luan me klubin dhe tani ka kaluar në një kampionat jashtë Shqipërisë.”
Më pas, italiani ka deklaruar se shpreson që, të rinjtë të jenë pjesë e projektit kuqezi për Evropianin e 2024-ës. – Sot më pëlqyen shumë lojtarë. Provova Selahin dhe Dokën. Një miqësore e vlefshme që lojtarët të fitojnë sa më shumë minuta dhe eksperiencë. Nuk mund të leme pa përmendur këtu Çepelen. Një lojtar që tregoi personalitet. Është vetëm 17-vjeç. Sot bëri një paraqitje shumë të mirë. Janë lojtarë që mund të na shërbejnë në të ardhmen. Të shikojmë.”
Pë Rejën, ka qenë e rëndësishme që të luhej kjo miqësore në prag të dy ndeshjeve të fundit, por edhe për të ardhmen. “Kur thashë që doja ta evidentoja ishte për shkak të situatës së epidemisë, – ka thënë ai. – Në aspektin moral një rezultat negativ me Kosovën do na kishte dëmtuar, por gjithçka shkoi mirë. Jam i lumtur për Balajn dhe për lojtarët e tjerë. Bëmë një paraqitje të mirë dhe arritëm dy herë te goli. Jam i kënaqur që fituam ndaj Kosovës.”
“Skuadër që ka në përbërje lojtarë cilësorë që luajnë në kampionate elitare, – vijoi veterani italian. – Ju thatë Balajn, por kemi edhe Cikalleshin. Në përgjithësi jam i kënaqur, me skuadrën dhe atë ç’ka tregoi në fushë. Sa për Uzunin, ka bërë një paraqitje të mirë. Edhe fakti që dha pasimin për golin e parë, më kënaq. Aktivizohet me një skuadër si Ferencvaroshi që luan në Ligën e Kampioneve. Është i motivuar dhe po bën mjaft mirë. Ai ndihet mirë edhe kur luan në qendër. Është më mirë kur luan në ka me karakteristikat që ka. Është më shumë i përshtatshëm në lojën që ka.”