AlbanianSport.com 16.05.2015 18:25
ASNN – Regbija, ky sport jo shumë i njohur në trojet shqiptare, tashmë ka nisur të luhet edhe në Shqipëri dhe në Kosovë. Dhe sot është mbajtur për herë të parë Turneu Ndërkombëtar i këtij sporti në Kosovë, i organizuar nga klubi i regbisë “Gjelat e Kosovës” (“Kosovo Roosters Rugby Club”). Në fushën e Stadiumit “2 Korriku” kanë matur forcat “Kosovo Roosters Rugby Club” (Kosovë), “Albania Rugby Club” (Shqipëri) dhe “Kibubu Rugby (Belgjikë).
Dhe ishte Klubi nga Belgjika ai që e fitoi turneun e parë të këtij lloji të zhvilluar në Kosovë, duke bërë një paraqitje më të mirë se skuadra e vendase dhe ajo e Shqipërisë. “Kosovo Roosters Rugby Club” dhe “Albania Rugby Club” u përballën në sfidën e parë, e cila dha një lojë mjaft të kënaqshme, duke kënaqur një numër të konsiderueshëm shikuesish. Ndeshjen e fitoi përfaqësuesja e Kosovës, me rezultatin 7-0. Ndërkohë, sfidë interesante është zhvilluar edhe në ballafaqimin e dytë, atë midis “Kosovo Roosters Rugby Club” dhe klubit belg, “Kibubu Rugby”.
Këtë ndeshje e fituan belgët me rezultat 7-38, ndërsa, në ndeshjen e tretë “Kibubu Rugby” ishte dukshëm më i fortë se “Albania Rugby Club”, duke fituar bindshëm me rezultat 36-0. Në Kosovë synohet të themelohet Federata e Regbisë, por ndërkohë duhen të themelohen edhe dy klube, sepse për themelimin e federatës duhet të jenë pesë klube.