Nga Endi Tufa (Top Channel) 26.02.2017 17:05
Është ndër ekipit e parë të regbisë në Shqipëri, që mban emrin e Tiranës. Prej disa vitesh vazhdojnë të organizohen vetë për ta bërë sa më popullor këtë sport edhe në Shqipëri, me qëllimin e krijimit të paktën të 5 klubeve me të cilën mund të kenë mundësinë e krijimit të një Federate. Mungesa e njohurive profesionale i ka detyruar të marrin një eksperiencë të huaj që e gjejnë më së miri tek Martin Lustiano, një ish-lojtar irlandez regbie dhe njëkohësisht trajner i përfaqësueses së regbisë të Malit të Zi.
“Sa i përket këtyre djemve, mund të them se janë shumë entuziast për këtë lojë, janë shumë të rinj, luajnë pak, por kanë bërë përmirësime të dukshme, – ka thënë Lusitano. -Regbija është një sport që luhet në të gjithë Evropën kështu që mund të luhet edhe në Shqipëri. Kërkesa e parë që duhet për këtë sport është që të kesh guxim, të kesh zemër. Më pas, në regbi ka disa pozicione dhe ku kërkohen madhësi trupash të ndryshëm, të shpejtë, të shkurtër, të gjatë të fuqishëm.”
“Nuk është një sport si futbolli ku duhen djem të dobët që vrapojnë shpejt, këtu ka vend për të gjithë”, – ka shtuar trajneri i regbisë. Përballë Tiranës ka qenë një ekip nga Kosova që quhet “Kosova Roosters” apo “Gjelat e Kosovës”, një skuadër gjithashtu amatore. “Ende nuk kemi një Federatë, ndonëse janë 3 skuadra, – ka thënë Denis Dautaj, themeluesi i “Kosova Roosters”. – Por presim që të bëhemi 5 që të krijojmë Federatën.
“Dhe nëse nuk e krijojmë dot vetë të paktën të organizojmë një kampionat mbarëkombëtar me klube edhe nga Shqipëria”, – shton ai. Sa i përket kësaj veprimtarie, këto dy skuadra janë organizuar për të luajtur për Kupën “Skëndërbe”, e cila u fitua nga Tirana. Kjo pasi skuadra bardheblu i ka fituar dy ndeshjet e para, ndërkohë që pavarsisht kësaj, do të luhet edhe ndeshja e tretë midis tyre, që do të zhvillohet në Kosovë.