Albaniansport.net 27.01.2016 19:35
ASNN – Një tjetër sport pritet të luhet edhe në Shqipëri. Bëhet fjalë për regbinë, një sport tepër i përhapur në Evropë dhe në botë. Bergamasko dhe Matoca, dy përfaqësues të këtij sporti në Itali, kanë zhvilluar bisedime me Sekretarin e Përgjithshëm të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Stavri Bello për ta përfshirë regbinë edhe në Shqipëri.
Regbija është një nga sportet që nuk ekzistojnë në Shqipëri. Por në Itali dhe në vende të tjera të Evropës ka mjaft lojtarë shqiptarë që luajnë në këtë sport, madje janë edhe “kampionë”. Për këtë, pranë Komitetit Olimpik Shqiptar kanë mbërritur dy përfaqësues të regbisë nga Italia. Janë pikërisht Mauro Bergamasko, ish-lojtar i përfaqësueses italiane të regbisë, dhe Korrado Matoca, trajner i ekipit të femrave axurre në këtë sport.
“E dimë që regbija është një sport i panjohur në Shqipëri, – ka thënë Bergamasko, duke folur për gazetaren e Departamentit të Aktualitetit të Radio-Televizionit Shqiptar, Brikena Kuka. – Por në Itali janë disa lojtarë shqiptarë që luajnë me skuadrat tona madje kanë dalë edhe kampionë. Ne duam t’i sjellim në Shqipëri këta lojtarë, të krijojmë një skuadër dhe të zhvillojmë disa ndeshje këtu.”
“Më pas do të shkojmë nëpër shkolla e universitete të bëjmë disa takime me studentë të cilët do të duan të luajnë këtë sport, – ka vijuar ish-lojtari i përfaqësueses italiane të regbisë. – Do të jemi ne që do të ndihmojmë fillimisht regbinë shqiptare me bazë materiale. Regbija është një sport që kërkon përgatitje të lartë fizike prandaj edhe duhet një stërvitje e veçantë.”
Gjatë vizitës në KOKSH, dy përfaqësuesit italianë të regbisë zhvilluan bisedime me Sekretarin e Përgjithshëm të Komitetit Olimpik Shqiptar, Stavri Bello. Ata ranë dakort që shumë shpejt të sjellin në Shqipëri një ekip me lojtarë shqiptarë të regbisë që të zhvillojnë një turne miqësor.