Albaniansport.net 18.01.2016 07:50
ASNN – Sipas drejtuesve të Federatës Helvete të Futbollit, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Valon Behrami nuk do të luajnë për Kosovën në të ardhmen. Federata e Futbollit e Zvicrës nuk frikësohet nga mundësia që, pas pranimit në UEFA dhe FIFA, Kosova t’ia marrë yjet e saj që kanë rrënjë nga Kosova e më konkretisht Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Valon Behrami.
Në Federatën Helvete thonë se futbollistët me rrënjë nga Kosova do t’ia kthejnë Zvicrës favoret që i kanë pasur e i kanë nga ky vend. “Shumica e lojtarëve duan të luajnë për Zvicrën për shkak të asaj se çfarë ka bërë Zvicra dhe Federata e Futbollit e Zvicrës për ta”, – ka thënë zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Marko von Ah, duke folur për të përditshmen e mirënjohur kosovare, “Kohën Ditore”.
“Ata nuk duan vetëm të përfitojnë, por t’i kthejnë diçka vendit që i ka dhënë aq tepër atyre, – ka vijuar ai. – Ka shumë njerëz të mirë.” Von Ah ka theksuar se përveç futbollistëve si Shaqiri, Xhaka dhe Behrami, Zvicra ka dhënë shumë edhe për futbollistët tjerë nga Kosova, por që, në fund, kanë zgjedhur të luajnë për shtete tjera, Shqipërinë e Kosovën.
Numri i futbollistëve nga Kosova që kanë luajtur deri tek përfaqësuesja e Nën-21-vjeçarëve të Zvicrës e që përfaqësojnë Shqipërinë është i madh. Në këtë grup bëjnë pjesë lojtarë si Arlind Ajeti, Frederik Veseli, Taulant Xhaka, Amir Abrashi, Migjen Basha, Shkëlzen Gashi. “Por, ka disa që ndiejnë se nuk do të mund të ftohen kurrë te Zvicra”, – ka theksuar zyrtari zviceran.
“Kështu që vijnë me kërkesë nëse ne mund t’i dorëzojmë të dhënat e tyre personale te Federata e Futbollit e Shqipërisë në mënyrë që të luajnë për Shqipërinë nëse trajneri i Shqipërisë i do ata dhe këtë e kemi bërë shumë herë”, – ka përfunduar zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Marko von Ah, duke folur për të përditshmen e mirënjohur kosovare, “Kohën Ditore”.