AlbanianSport.com 11.03.2015 10:40
ASNN – Reali i Madridit ka vuajtur të hënën në mbrëmje, duke u mundur në shtëpi 3-4 nga Shalke 04-a, por duke u kualifikuar falë fitores 2-0 të arritur në ndeshjen e parë. Në takimin tjetër të mbrëmjes Porto ka arritur një fitore të thellë, 4-0, në fushën e vet ndaj Bazelit. Sonte luhen takimet e kthimit të dy çifteve të tjera dhe Bajerni i Mynihut-Shahtjorin e Donjeckut dhe Çellsi-Paris Sen Zhërmen.
Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve, ka nisur vazhdën e ndeshjeve të kthimit të turit të 16-shes dhe mbrëmë kanë zbritur në fushën e blertë çiftet Real i Madridit-Shalke 04 dhe Porto-Bazel. Madrilenët kanë vuajtur, duke u mundur 3-4 në “Santiago Bernabeu” nga Shalke 04, por duke u kualifikuar për më tej, falë fitores 2-0 të arritur në takimin e parë, të luajtur më 18 shkurt 2015 në Gjermani.
Reali e ka parë veten dy herë në disavantazh, por ka arritur të kundërpërgjigjet dy herë me anë të Kristiano Ronaldos, duke bërë që pjesa e parë të mbyllet në barazim 2-2. Me fillimin e pjesës së dytë, madrilenët kalojnë në epërsi me anë të Benzemasë, por gjermanët kundërpërgjigjen dhe përmbysin shifrat në 4-3, duke kërcënuar një surprizë në Spanjë.
Por surpriza nuk është materializuar dhe Reali i Madridit kualifikohet edhe me këtë humbje, që ka ngritur shumë pikëpyetje mbi potencialin e spanjollëve për të mbrojtur kurorën kontinentale. Në takimin tjetër të mbrëmjes ka qenë një tjetër histori, sepse Porto ka arritur një fitore të thellë, 4-0, në fushën e vet ndaj Bazelit, ku luajnë edhe dy futbollistët e Kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashi dhe Taulant Xhaka. Kuqezinjtë kanë qenë të pafuqishëm të ndihmojnë skuadrën e tyre përballë një Portoje që me një gol të shënuar në pjesën e parë dhe 3 në të dytën, e ka merituar vendin midis 8 më të mirave të Ligës së Kampioneve. Sonte luhen takimet e kthimit të dy çifteve të tjera dhe Bajerni i Mynihut pret në “Allianz Arena” Shahtjorin e Donjeckut, ku ndeshja e parë, e luajtur në Ukrainë është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa Paris Sen Zhërmeni viziton Londrën për t’u ndeshur me Çellsin, në duelin takimi i parë i të cilit, i luajtur në kryeqytetin francez, është mbyllur me rrjeta të paprekura.