AlbanianSport.com 04.08.2015 12:35
ASNN – Ndonëse gjithçka mbetet në kuadër të hipotezave të merkatos, të paktën deri më 31 gusht 2015, duket se Reali i Madridi synon ende që ta transferojë dyshen e Valencias, Shkodran Mustafin dhe Nikolas Otamendi, të cilët spikatën me lojën e tyre në sezonin që shkoi. Sipas asaj që shkruan e përditshmja e mirënjohur sportive, “AS”, thuhet se kjo dyshe do të transferohet në Santiago Bernabeu në rast të largimit të Serxhio Ramosit, i cili kërkohet me ngulm nga Mançester Junajtid.
Në rast mbrojtësi spanjoll nuk e nënshkruan kontratën e re me madrilenët, atëherë dyshja e Valencias do të bashkohen me ekipin e trajnerit Rafa Benitezit. Sipas “AS” klubi “mbretëror” duhet të paguaj plot 50 milionë euro për shërbimet e Otamendit, aq sa është edhe klauzola e lojtarit, kurse për Mustafin, rreth 20 milionë euro. E gjithë kjo hipotezë ndërlikohet edhe më tepër nga lajmet që vijnë nga Anglia, ku Mançester Junajtid po kërkon mbrojtësin Pepe.
Trajneri i “Djajve të kuq”, Luis van Gal, ka ndërruar objektivat sa i përket mbrojtjes, pasi nuk është më i interesuar për Serxhio Ramosin apo Nikolas Otamendin. E përditshmja britanike “Mirror”, shkruan se trajneri holandez është duke menduar të sjellë në “Olld Traford” mbrojtësin portugez të Realit, Pepe, i cili ka edhe një vit kontratë me skuadrën spanjolle.
Mediat në Spanjë shkruajnë se bisedimet për zgjatjen e kontratës së Pepes me gjiganden madrilene kanë ngecur dhe kjo mund të jetë një mundësi e mirë për Mançester Junajtid. Nga ana tjetër, thuhet se Reali i Madridit dëshiron të shfrytëzojë Pepen si pjesë të marrëveshjes për transferimin e portierit të Mançester Junajtid, David de Gea.