AlbanianSport.com 29/10/2018 21:45
ASNN – Tashmë është zyrtare: Trajneri Julen Lopetegi është shkarkuar. Vendimi është marrë edhe zyrtarisht dhe këtë e njofton vetë klubi në faqen e vet zyrtare. Thuhet se kontrata është ndërprerë dhe madje është emëruar trajneri i ri. Ai do të jetë ish-futbollisti i njohur i Realit të Madridit, Santiago Solari. Bisedimet me njeriun për të cilin deri para pak orësh përflitej se do të merrte drejtimin e madrilenëve, Antonio Konten, duket se kanë dështuar.
Mediat spanjolle flasin për mosmarrëveshje rreth pagës, por në orët e vona të mbrëmjes të së hënës gjithnjë e më shumë e besueshme po bëhej hipoteza që shkak për mosardhjen e Kontes u bë mbrojtësi Serxhio Ramos, i cili kishte vënë veton kundër. Para pak ditësh, i pyetur për këtë kandidaturë, Ramos kishte deklaruar se respekti për një trajner fitohet dhe nuk blihet, duke thumbuar keqas trajnerin italian. Sidoqoftë, Konte mbeti jashtë.
Dhe, me sa kuptohet edhe nga shkrimet e mediave spanjolle, gjigandja madrilene i ka dhënë besim Solarit. Por edhe Solari do të jetë i përkohshëm, të paktën deri në fund të nëntorit, pasi klubi, me sa po kuptohet, po negocion me trajnerin e Belgjikës në Botërorin e Rusisë, Martinez. Sidoqoftë, dy lëvizje zyrtare ndodhën tashmë e që janë largimi i Lopetegit, si dhe emërimi i Solarit. Disfata me Barcelonën në “El-Klasiko” i vuri kapakun marrëdhënies midis presidentit të Realit, Perez, me ish-trajnerin e përfaqësueses spanjolle