AlbanianSport.com 15.12.2016 14:35
ASNN – Sikundër pritej, është Reali i Madridit finalistja e dytë e Botërorit të Klubeve në Futboll, pasi ka mundur të enjten meksikanët e Amerikas me shifrat 2-0, me nga një gol për secilën pjesë loje. Kjo ndeshje u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, që do të sjellë të dielën edhe dy sfidat e fundit të kësaj veprimtarie.
Botërori i Klubeve në Futboll, që po zhvillohet në Japoni, ka përcaktuar edhe duelin e tij final, pasi Reali i Madrid ka shënuar dy herë në minutat shtesë të çdo pjese lojë ndaj Amerikas, duke fituar me rezultatin 2-0, në takimin e dytë gjysmëfinal, që u zhvillua të enjten dhe që, sikundër çdo veprimtari madhore, po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Në fakt, ka qenë një përballje kryesisht e barazpeshuar kjo sfidë, me meksikanët që bënë lojën e tyre dhe krijuan rastet e tyre, përballë një Reali që natyrisht vinte me tagrin e favoritit dhe që tregoi se mbetet pretendent për këtë trofe. Madrilenët goditën fillimisht shtyllën, duke vijuar, në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, të gjejnë edhe golin, me autor Karim Benzemanë.
Me këtë epërsi minimale të kampionëve të Evropës do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të flasin kryesisht për Realin, që ushtron trysni të vazhdueshme përballë qëndresës së amerikanoqendrorëve. Megjithatë, siç kishte ndodhur edhe në pjesën e parë, minutat shtesë do të rezultojnë fatale për meksikanët, pasi madrilenët do të gjejnë edhe golin e dytë, me anë të Kristiano Ronaldos.
Portugezi mposht kurthin e “jashtëlojës”, por edhe provën e përsëritjes televizive, për të vulosur kështu vendin e Realit të Madridit në finalen e madhe të së dielës, ku përballë do të letë vendasit e Kashima Entllër. Dhe Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë të dielën edhe dy sfidat e fundit të kësaj veprimtarie.