Gjergj Vyshka 23.05.2016 14:35
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, është ndjerë keq për atë që ka ndodhur dje në finalen e Nën-16-vjeçarëve për djem, mes Superiorit dhe Tiranës. Sipas tij basketbolli në veçanti dhe sporti në përgjithësi janë për të edukuar brezin e ri dhe jo të japin shembuj të këqij si ajo e djeshmja në sallën sportive në Bathore.
E vërteta është se basketbolli shqiptar ka mbyllur në mënyrë paqësore sezonin tek paratërejat me Superiorin “kampion”, tek të rinjtë përsëri me Superiorin “kampion” dhe tek të rejat me Vllazninë “kampione”. E në mënyrë paqësore e atmosferë krejtësisht sportive janë luajtur dhe finalet e para të titullit “kampion” në basketboll për femra, Flamurtari-Goga Basket 83-53, dhe për meshkuj, Vllaznia-Teuta 64-60.
“Të shohësh prindërit të hyjnë në fushë dhe të godasin është shembulli më i keq që mund t’i japim këtyre të rinjve, të cilët janë e ardhmja e sportit, – ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani. – Basketboll dhe sporti janë për të edukuar dhe jo për të çedukuar dhe për ta kthyer parketin në arenë boksi.”
“Janë gjëra aspak që kanë lidhje me sportin, përkundrazi duhen dënuar, sepse kështu nuk mund të ecim përpara”, – ka përfunduar numri 2 i organizmit që qeveris koshin shqiptar, ndërsa sot do të mblidhet me urgjencë Komisioni i Disiplinës për t’i dhënë udhë kësaj finaleje dhe asaj çfarë duhet bërë për dhënien e titullit “kampion” tek paratërinjtë.