AlbanianSport.com 26/01/2021 21:45
ASNN – Klubi gjerman pohon se mund ta shesë që tani për 20 milionë Euro futbollistin e Kosovës. Verder Bremeni është i gatshëm të heq dorë nga ylli i Kosovës, madje që në merkaton e janarit, por vetëm për një çmim të arsyeshëm. Milot Rashica mund t’i ketë ditët e numëruara tek Werder Bremeni, pasi ai mund të ndërrojë klub, madje brenda këtyre pak ditëve që kanë mbetur nga kjo periudhë dimërore e shitblerjes së lojtarëve.
Mësohet se drejtuesit e klubit gjerman janë të gatshëm të heqin dorë nga 24-vjeçari nëse e marrin një ofertë të kënaqshme në ditët e fundit të kësaj merkatoje. Një gjë të tillë e pohon edhe kreu ekzekutiv i Verder Bremenit, Klaus Filbri. “Nëse e marrim një ofertë të arsyeshme, do ta shesim Milotin”, – deklaroi kreu i klubit gjerman për mediat e atjeshme.
Kur mendon për ofertë të arsyeshme, Filbri e imagjinon atë në kufijtë e një shume prej afro 20 milionë Eurosh. Rashica u rikthye në javët e fundit nga dëmtimi që e pati lënë jashtë fushës për më shumë se një muaj e gjysmë. Futbollisti nga Kosova është duke u munduar të rigjejë formën ideale para se të largohet nga Bremeni. Megjithatë, ai ka shënuar vetëm dy gola për ekipin gjerman që nga gjysma e dhjetorit të 2019-ës.
Klubet gjermane të interesuara për të, të tilla si Bajer Leverkuseni dhe Lajpcigu, kanë hequr dorë tashmë nga vushtrriasi. Për momentin, interesimin më serioz për të e ka shfaqur Aston Vila.