Gjergj Vyshka 17.02.2015 16:15
Lumturi Pepa, Arben Cerina dhe Eda Shyti më të mirët e kuqezinjve në Prishtinë. Tashmë vëmendja më e madhe në Kampionatin Evropian në Holandë në fillim të marsit. Shqipëria e qitjes ka shkëlqyer në Kupën e Pavarësisë në Prishtinë, ndërsa ky rezultat i pushkatarëve tanë vjen pas paraqitjes deri diku të kënaqshëm në Çmimin e Madh të Kuvajtit. Lumturi Pepa, Arben Cerina dhe Eda Shyti kanë qenë më të mirët e kuqezinjve në Prishtinë.
Ndërsa tashmë vëmendja është përqendruar tek përgatitja për pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të Holandës, që do të jetë i rëndësishëm edhe për normën e kualifikimit në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Madje Shqipëria, sipas faqes sportive kosovare në Internetit, www.sportrks.com, edhe duke qenë me ekip të plotë, shoqëruar me vende të para e të dyta, ka qenë edhe ekipi fitues i Kupës së Pavarësisë në Kosovë.
Më të dalluarit u nderuan me medalje dhe diploma, të cilat i ndanë Besim Hasani (Kryetar i Komitetetit Olimpik të Kosovës), Stefan Rufa (Presidenti i Federatës Shqiptare të Qitjes), Koço Mikerezi (Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Qitjes) dhe Ali Pllana (Kryetar i Federatës së Shenjëtarisë së Kosovës). Në fund në mjediset e Hotel “Sirius” në Prishtinë u organizua një darkë me pjesëmarësit, ku edhe u shkëmbyen përvojat e ndësjellta, si dhe u bisedua për garat që i presin në rrafshin ndërkombëtar.
Në plan të parë si për Shqipërinë, ashtu dhe për Kosovën, është pjesëmarrja në Olimpiadën e parë Evropiane në Baku të Azerbajxhanit në qershor të këtij viti, por edhe përgatitjet për Olimpiadën botërore “Rio 2016” në Brazil. Nuk duhet harruar se Shqipëria e Kosova takimet e përbashkëta të qitjes i kanë të përvitshme, ndërsa një të tillë e patën zhvilluar më 21 dhjetor në Tiranë. Ajo që duhet theksuar është një nivel i mirë i qitësve tanë, ndërsa pritet shumë dhe nga Kuçana, kurse Evropiani i Holandës do të jetë një provë shumë e fortë për tanët.
Kupa e Pavarësisë
së Kosovës 2015 – Qitje
Rezultatet teknike:
Pushkë – Meshkuj
1) Drilon Ibrahimi (Kosovë) 553 pikë
2) Faruk Qerimi (Kosovë) 540 pikë
3) Agron Mala (Kosovë) 533 pikë
Pushkë – Femra
1) Lumturi Pepa (Shqipëri) 372 pikë
2) Urata Rama (Kosovë) 364 pikë
3) Anila Sevo (Shqipëri) 353 pikë
Pistoletë – Meshkuj
1) Arben Cerina (Shqipëri) 560 pikë
2) Agim Rama (Shqipëri) 558 pikë
3) Nexhat Sahiti (Kosovë) 558 pikë
Pistoletë – Femra
1) Eda Shyti (Shqipëri) 370 pikë
2) Aida Bogdani (Shqipëri) 367 pikë
3) Lumturie Rama (Kosovë) 355 pikë