AlbanianSport.com 26.07.2015 18:00
ASNN – Federata Shqiptare e Qitjes i afrohet edhe më shumë pjesëmarrjes në Lojërat e ardhshme Olimpike “Rio 2016″, pas përfaqësimit në “Londër 2012″ me sportistin Arben Kuçana.
Në Kampionatin Evropian, që po zhvillohet në Maribor të Sllovenisë, në ushtrimin e zjarrit, qitësja e Kombëtares kuqezi, Manjola Konini, që stërvitet në Itali, u rendit e 22-ta, me 566 pikë (92-95-88-98-97-96) të grumbulluara në garën e 25 m pistoletë.
Në një prononcim për të përditshmet sportive shqiptare, Presidenti i Federatës Shqiptare të Qitjes, Stefan Rrufa, deklaroi se sportistja Konini ka arritur minimumin e pikëve për kualifikim (MQS) për Olimpiadën e “Rio 2016″ që ishte 555 pikë.
Sipas Rrufës, Konini mori vetëm një pikë më pak se kampionia e botës, Jasna Sekariç. Gjithashtu, presidenti Rrufa sqaroi se këtë kuotë e kanë arritur për momentin Arben Kuçana dhe Arben Cerina.
Në rast se Shqipëria nuk arrin të kualifikohet me normë në Olimpiadë, shtohen shanset për të përfituar një ftesë të mundshme, ndonëse dënimi i peshëngritjes i ka pakësuar gjasat e një delegacioni të madh në “Rio 2016”.