Gjergj Vyshka 27.01.2015 11:15
Në konkurrim do të jenë dhe Arben Cerina dhe Lumturi Pepa e sërish Kuçana. Presidenti Rrufa: “Të jeni të sigurt se qitja do të jetë e kualifikuar me normë në “Rio 2016””. Qitja është disiplina e parë sportive në vend, e cila sjell medalje nga aktiviteti ndërkombëtar për vitin 2015. Gjithçka ka ndodhur dje në Çmimin e Madh të Kuvajtit, atje ku Arben Kuçana në qitje me pistoletë 50 metra ka zënë vendin e tretë duke marrë njëkohësisht dhe medaljen e bronztë.
Lajmi ka ardhur nga presidenti Stefan Rrufa, i cili së bashku me sekretarin e përgjithshëm Koço Mikerezi janë në krye të delegacioni shqiptar, që ka mbërritur atje me ftesë të Federatës së Qitjes së Kuvajtit. Kjo është veprimtaria e katërt ndërkombëtare që bëhet nën emër të mbretit të Kuvajtit, i cilësuar si “Çmimi i Madh Ndërkombëtar”. Një aktivitet që është njohur dhe nga Federata Botërore e Qitjes, ndërsa në të marrin pjesë qitës të niveleve të larta botërore, fitues medaljesh në veprimtaritë ndërkombëtare deri në Lojërat Olimpike.
Kuçana pasi ka bërë një garë të mirë në gjysmëfinale, atje ku me 543 pikë ka zënë vendin e tetë ka qenë i papërmbajtshëm në finale, ndërsa ka zënë vendin e tretë, duke merituar kështu dhe medaljen e bronztë. Para tij, por me pikë të vogla, janë renditur qitësi serb Mikec Damir, që ka marrë medaljen e argjendtë, si dhe në vendin e parë qitësi nga Kazakistani, Isashenko. Ndërkohë gjithnjë sipas presidentit Rufa në këtë garë do të marrin pjesë dhe Arben Cerina dhe Lumturi Pepa.
Po kështu do të bëjë garë të dytë edhe Arben Kuçana duke shpresuar kështu që të jetë përsëri me medalje në këtë veprimtari. Presidenti Rufa shprehet i sigurt se qitja do të jetë e kualifikuar për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. “Ne kemi planifikuar një sërë garash ndërkombëtare, të cilat janë të vlefshme për t’u kualifikuar për në Rio de Zhaneiro, ndërsa kjo medalje e Kuçanës na bën optimistë për arritje e kualifikimit me normë për 2016-tën”, – ka theksuar Rufa.