Gjergj Vyshka 21.06.2016 11:35
Qeveria shqiptare ka nderuar dy legjenda të volejbollit shqiptar. Bëhet fjalë për Asllan Rusin dhe Dashamir Fagu, ndërsa të dy kanë marrë çmimin “Podium COD”. Për Fagun e ka marrë Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Lindita Nikolli, edhe sepse kanë pasur hyrje e dalje familjare (?!), ndërsa për Asllan Rusin, Kreshnik Tartari. Mjeshtëri i volejbollit të meshkujve, legjenda e trajningut të djemve, Vangjel Koja, ka bërë një biografi të tyre, ndërsa më pas ka folur kryeministri Rama.
“Sot njerëzit e mëdhenj të basketbollit dhe volejbollit kanë të drejtë të ndihen të prekur në sedër kur shikojnë kontrastin e madhe mes asaj që bëhet për futbollin dhe atë që ndodh për lojërat me dorë, – ka thënë ai. – Ka shumë gjëra për të cilat mund të diskutohet, por shembulli i Asllan Rusit dhe Dashamir Fagut, shpresoj që mos t’i ngelet hatri lojtarëve të gjerë, tregon se, pavarësisht rëndësisë së madhe që ka infrastruktura, edhe në një fushë me qymyr mund të bëhet histori.”
“Ne po përpiqemi që të përmirësojmë infrastrukturën në sport dhe në shkolla, pasi mendojmë se baza është aty tek krijimi i mundësive dhe bazave për të vegjlit për t’u dhënë mundësinë që të ushtrojnë aktivitet sportiv”, – vijoi kryeministri. Rama u ndal edhe tek investimet konkrete në këtë fushë duke u shprehur se së shpejti parashikohet të mbarohet faza e parë e parkut olimpik të Tiranës. “Shpresojmë që së shpejti të mbarojmë fazën e parë të parkut olimpik të Tiranës”, – tha kreu i qeverisë.
“Po diskutojmë me Bashkinë e Tiranës, mundësinë e rindërtimit të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, – ka vijuar ai. – Ai Park Olimpik do të krijojë mundësinë e vendosjes së Federatave në zyra dinjitoze. Kujtimi i personazheve historike si Dashamir Fagu, tregon se në çdo lagje e bllok banimi në këtë vend mund të ketë të tjerë, e me siguri që ka, që mund të bëjnë historinë e sportit për Shqipërinë.”