AlbanianSport.com 21.11.2014 22:05
Bajerni i Mynihut arrin një tjetër rekord, por këtë herë jo në fushën e blertë. Në Bavari mbyllen në mënyrë të përsosur edhe llogaritë bankare, aq sa edhe Stadiumi “Allianz Arena”, i ndërtuar në vitin 2005 nuk njeh më borxhe: është paguar e tëra dhe për më tepër, plot 16 vjet përpara afatit të rënë dakord.
Ka qenë administratori i deleguar Karl-Hainc Rumenige, ai që e ka njoftuar këtë sukses. “Kishim arritur një marrëveshje detyrimesh prej 346 milionë eurosh, për t’i shlyer për 25 vjet deri në fund të vitit 2030”, – ka deklaruar ish-futbollisti i mirënjohur gjerman, tashmë në rolin e drejtuesit të klubit bavarez.
“Por, ia kemi dalë mbanë të mbyllim gjithçka në vetëm 9 vjet, pse jo jemi krenarë për këtë, – ka vijuar ai. – Të ardhurat e siguruara tani e në vijim nga stadiumi mund të shërbejnë për të përmirësuar cilësinë e ekipit.” Stadium simbol i modernes, “Allianz Arena” është gjithnjë e mbushur, pavarësisht emrit të kundërshtarit me të cilin ndeshet Bajerni i Mynihut, duke u bërë kështu një minierë ari.
Një lajm i mirë ky për trajnerin Pep Guardiola, që mund t’i kërkojë si dhuratë drejtuesve të klubit një blerje… në trajtën e Leo Mesit.