AlbanianSport.com 05.02.2015 09:55
“S’i kemi fshehur asgjë medias në mënyrë absolute, por ende nuk kemi një përgjigje të testit B të Hysen Pulakut dhe as të Daniel Godellit.” Kështu deklaronte para dy ditësh Elez Gjoza, presidenti i Federatës së Peshëngritjes, gjatë një konference për shtyp të thirrur në tentativë për të sqaruar skandalin e peshëngritjes. Madje, zëvendësi i tij, zv/presidenti Ilir Kulla, ka shtuar edhe më tej, duke i mbajtur leksion profesionalizmi gazetarëve të pranishëm në palestrën stërvitore të ekipeve kombëtare të peshëngritjes.
“Media ka thënë ato fjalë që ka thënë dhe kjo nuk është profesionale, siç e dini ju, por siç e di edhe unë, pa konfirmuar burimin e lajmit për testin B të z. Pulaku”, – ka deklaruar Kulla, duke këmbëngulur: “Nga momenti që del testi B, nuk ka njeri që ta fshehë.” Por, dje, “Top Channel” ka zbuluar se disponon dokumentin e testit B antidoping të peshëngritësit Hysen Pulaku, nga ku vihet re qartë se sportisti 22-vjeçar ka rezultuar pozitiv edhe në analizën e dytë.
Sipas dokumentit që mban firmën e doktor Shenzer, klinika e të cilit është e akredituar nga WADA, sportisti shqiptar Hysen Pulaku del se ka përdorur “stanozolol”, subtancë me të cilën ai u kap edhe para Lojrave Olimpike “Londër 2012”. E njëjta substancë doli edhe në dy testet e nënkampiones Romela Begaj dhe në testin A të kampionit Daniel Godelli. Ky dokument ka ardhur në adresë të Federatës sonë të Peshëngritjes, e cila bën dhe rolin e të paditurit, që me datë 14 janar të këtij viti.
Pra vetëm një ditë pasi është bërë dhe testi B për sportistin Pulaku. Madje në “e-mail”-in e dërguar me datë 14 janar, këshilltarja ligjore e Federatës Botërore të Peshëngritjes i kërkon sportistit shqiptar të informojë këtë Federatë nëse do të pranojë si përfundimtar testin B apo do të vazhdojë me panelin dëgjimor nga i cili do të dalë dhe vendimi përfundimtar. Ndërkohë, edhe pse kanë kaluar 20 ditë, ende nuk është bërë publike asnjë përgjigje për peshëngritësin tjetër shqiptar Daniel Godelli.
Ky i fundit iu nënshtrua testit B me datë 15 janar. Megjithë optimizmin e drejtuesve të FSHP-së se peshëngritja do të risjellë në Shqipëri medalje duke filluar që nga Evropiani i prillit, këta tre sportistë janë të pezulluar dhe i vetmi sportist elitar nga i cili mund të presim ndonjë medalje mbetet Erkand Qerimaj. Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse Shqipëria si vend do të lejohet të marrë pjesë në këtë veprimtari kontinentale, pasi ende nuk është sqaruar nëse jemi pezulluar apo jo nga Federata Botërore e Peshëngritjes.