AlbanianSport.com 11.05.2016 18:00
ASNN – Prokuroria ka ngritur akuzat ndaj presidentit të Kastriotit, Alban Vogli, të arrestuar për dhunën e ushtruar ndaj gazetarit sportiv, Eduard Ilnica. Mbi të rëndojnë dy akuza: “plagosje për shkak të detyrës” dhe “plagosje të rëndë me dashje”. Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Shtypi është i lirë dhe misioni i tij është të marrë dhe të japë informacione që kanë interes publik.
Por kjo nuk ndodhi me gazetarin sportiv, Eduart Ilnica, i cili u dhunua barbarisht për shkak të ushtrimit të detyrës së tij. Pas një shkrimi që ai kishte publikuar në faqen elektronike të “TeleSport”, lidhur me trazirat që ndodhën pas ndeshjes Korabi-Kastriotit, disa ditë më parë, gazetari Ilnica është dhunuar nga presidenti I klubit Kastrioti, Alban Volgi. Ai është arrestuar dhe prokuroria ka ngritur akuzat ndaj tij.
Mbi të rëndojnë dy akuza: “plagosje për shkak të detyrës” dhe “plagosje të rëndë me dashje”. Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), i cili dënon këtë akt të shëmtuar, që cenon haptazi lirinë e shprehjes së sanksionuar në Kushtetutë dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
KSHH i sugjeron organeve të ndjekjes penale hetim të plotë, të gjithanshëm dhe objektiv si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të fajtorëve. KSHH e shikon të nevojshme të theksojë se, raste të tilla nuk janë të rralla dhe as të veçuara, e parandalimi i tyre është i nevojshëm-shkruhet në reagimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.