Adriatik Balla 09.06.2015 14:25
Mundësi i njohur, tashmë trajner, komenton sjelljen e zyrtarëve të Komitetit Olimpike kundrejt sportistëve. Këto ditë Shqipëria merr pjesë në Lojërat Evropiane, i pari i këtij lloji, veprimtari që zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit. FSHM çoi tre emra në KOKSH, por ky i fundit e ndryshoi njërin nga sportistët.
Mënyra si u bë mund të jetë objekt i madh debati, por KOKSH ka mangësi të kësaj natyre dhe, kur është fjala veçanërisht për bursat olimpike, kjo është diçka e hershme. Duke folur për këto probleme, mundësi i mirënjohur dhe njëherësh teknik i ekipit të mundjes së Tiranës, Sahit Prizreni, akuzoi dhe një herë zyrtarët e KOKSH-it se me veprimet e tyre të papërgjegjshme po dëmtojnë rëndë sportin në Shqipëri.
Ai përmend rastin e sportistit të tij Egzon Shala, të cilit iu mohua pa të drejtë bursa olimpike, ndërkohë që Prizreni akuzon dyshen drejtuese të KOKSH-it, Bezhani-Bello, se po përpiqen t’i vënë “shkopinj nën rrota” mundjes shqiptare dhe sportit shqiptar në tërësi.
Kjo është intervista e Sahit Prizrenit, dhënë të përditshmes sportive shqiptare “SOT”, dhe dje AlbanianSport.com ju ka sjellë pjesën e parë, sot është pjesa e dytë, ndërsa nesër do t’ju sjellim edhe pjesën e tretë dhe të fundit.
…Vijon nga dje
– Jo çdo gjë mund të interpretohet si e zezë. Duhet pasur kujdes, sepse KOKSH është institucion dhe zyrtarët shkojnë e vijnë, prandaj duhet një qasje më elegante në marrëdhëniet që ju si komunitet i mundjes duhet të keni me KOKSH-in. Ju vazhdimisht e keni ngritur zërin për këto probleme, por si ka mundësi që nuk bindni në parashtrimet tuaja?
– Ne po bindim mjaftueshëm dhe ka qenë pikërisht zëri ynë që gjendja të mos shkojë më keq akoma. Ne nuk kemi gjë me institucionin, por po flasim për dy persona konkretë, që mbajnë peng institucionin dhe rregulloret përkatëse. Situata nuk është e zezë, por po bëhet zi e më zi. Unë sinqerisht nuk e di se çfarë duhet të bëj që të bind më shumë. Ne s’kemi gjë në dorë, por vetëm ngremë zërin, aq na ka mbetur. Unë nuk e kuptoj se si mund të kalojë vendimmarrja në duart e këtyre njerëzve. Këta bëjnë çfarë të duan, sepse MAS u ka dhënë dorë të lirë. Të humbur në këtë situatë dalin federata, klubet e sportistët. Individë të tillë s’kanë as moral, as cipë e as burrëri.
– Është folur diçka atje në lidhje me sportistin. Me sa duket bursa nuk u dha për shkak moshe…
– Sportisti që unë stërvis, Egzon Shala, është 24 vjeç, pra i ri dhe me perspektivë. I thonë “je i vjetër”, një justifikim absurd. Bursa që i takonte mundjes, i kaloi boksit. Nuk e di se si mund ta marrë këtë vendim presidenti i KOKSH-it. Çfarë është ky njeri? Si mund të jetë president i KOKSH-it një njeri që s’di asnjë gjuhë të huaj? Dhe, më tej, krijon edhe këto problemet për të cilat po flasim. Ai nuk meriton të jetë kreu i KOKSH-it. Historinë e bursave olimpike e ka kthyer në pazar. Madje ky është një pazar i vjetër, sepse kam qenë nënkampion i Evropës në mundje dhe s’kam fituar gjë. Këta njerëz janë të paparë për të krijuar kaos dhe padrejtësi. Në këtë kuadër, mund të them se situata nuk është komode, por unë kam shumë shpresë se Egzon Shala do të futet në zonën e medaljeve në Lojërat Evropiane. Do të ishte një sukses i rëndësishëm për ne.
– Deshëm të dinim diçka dhe për treguesit e tij teknik dhe si pritet të zhvillohet gara?
– Mundësi do të garojë në peshën trupore 120 kg, që është bateria më e rëndë. Në këtë peshë ka shumë konkurrencë. Kjo garë është e vështirë për të, pasi kanë ndryshuar edhe peshat dhe ai vetë ka ndryshuar kategori peshe. Ai ka marrë direktivat e duhura, ka krijuar edhe eksperiencë dhe urojmë të bëhet maksimumi dhe shpresojmë të marrim medalje. Ky është gjithë objektivi ynë. Unë jam optimist pasi e kam ndjekur, e kam parë si është stërvitur dhe i di rezultatet e tij. Siç thamë ka një dëmtim të vogël, por besoj se deri ditën e garës do ta kalojë.
Vijon nesër…