AlbanianSport.com 21.04.2016 18:2o
ASNN – Tirana do të ketë një stadium të ri pas rreth 2 vitesh. Arena e re e Kombëtares do të ndërtohet aty ku sot është Sadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet. Kapaciteti i tij do të jetë 22-mijë vendesh, me synimin për ta kthyer në një pikë referimi për qytetin, jo vetëm në ditën kur do të ketë një ndeshje futbolli. Projekti është i studios italiane “Archea”, që më parë ka ideuar stadiumin e Udineze.
“Do të jetë një ndërtesë multifunksionale ku do të ketë edhe zonë tregtare, një hotel, një kullë që do të kthehet në simbol, – deklaroi arkitekti italian, Marko Kasamonti, gjatë prezantimit. – Ai do të jetë funksional 7 ditë të javës. Ky stadium është një teatër i frymëzuar nga Roma e lashtë ku tifozi do të jetë pranë me fushën. Tirana për 2 vite do të ketë një stadium të ri.”
Për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, kjo arenë është një arritje ashtu si dhe kualifikimi në Euro 2016. “Ky stadium dhe ky Evropian është një faqe e parë, se pavarsisht vështirësive nuk ka gjëra të paarritshme”, – deklaroi Duka. Kryeministri Edi Rama tha se ku investim nuk do të rëndojë në financat e qeverisë apo Federatës.
“As qeveria as Federata nuk do të shpenzojnë, pasi do të jetë një partneritet publik-privat. Do të jetë një investim prej 50 milionë euro”, – tha Rama. Stadiumi i ri i Tiranës do t’i shtohet Elbasan Arenës dhe “Loro Boriçit” që pritet të përfundojë në qershor të këtij viti. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” do të shembet i tëri, përfshirë edhe fasadën, për të cilën ka patur diskutime me parë.