AlbanianSport.com 28.03.2015 13:55
ASNN – Xhovani De Biazi do ta drejtojë Kombëtaren kuqezi ndaj Armenisë si një shqiptar, pasi italiani ka marrë të shtunën nënshtetësinë, gjatë një takimi me presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Ndeshja Shqipëri-Armeni luhet të dielën, duke nisur nga 18:00 në Elbasan “Arena” dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Në prag të takimit me Armeninë, në kampin e Kombëtares kuqezi ka qenë mysafir Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili është takuar me futbollistët dhe stafin kuqezi, si dhe me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit. Gjatë bisedës me ta, kreu i shtetit ka vlerësuar kontributin që Kombëtarja ka dhënë veçanërisht në drejtimin e trajnerit Xhovani De Biazi.
Presidenti Nishani, pasi i përgëzoi për punën, mundin dhe rritjen e nivelit profesionit dhe cilësisë së futbollit, u uroi lojtarëve të ekipit kombëtar të futbollit si dhe drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit një fitore të shumëpritur në ndeshjen vendimtare të ditës së diel. “Dëshiroj t’ju sjell në emër të Institucionit që përfaqësoj, atij të Presidentit të Republikës zyrtarisht dhe shumë sinqerisht falënderimet dhe mirënjohjen e veçantë për të gjithë impaktin e madh dhe pozitivitetin që keni sjellë në mjedisin e përgjithshëm të shoqërisë shqiptar edhe të gjithë shqiptarëve duke rindezur disa ndjenja, perceptime dhe gëzime të nevojshme për njerëzit, të cilat u përcillen edhe përmes sportit, artit e kulturës”, – ka thënë ai.
“Në rastin tuaj konkret, ky vlerësim dhe kjo mirënjohje ju shkon në mënyrë shumë të sinqertë e të drejtpërdrejtë, sepse keni sjellë një rigjallërim dhe rindezje të një dëshire dhe hareje në psikologji dhe në jetën shoqërore dhe shpirtërore të shqiptarëve, – vijoi Presidenti. – Nga ky takim dua t’u përcjell edhe një mesazh vlerësimi të gjithë tifozëve kuq e zi, të cilët janë me mish, me zemër e me gjak pranë Kombëtares së futbollit në mbështetjen tuaj! Si Kreu i Shtetit shqiptar, e ndiej dhe e kam për detyrë e të drejtë kushtetuese që t’u adresohem të gjitha institucioneve të shtetit shqiptar që të vazhdojnë mbështetjen dhe angazhimin e tyre maksimal.”
“Sepse këto gjëra: angazhimi i ekipit, i futbollistëve, i talentit të tyre, i punës së stafit, por edhe i mbështetjes dhe angazhimit të institucioneve, plotësojnë njëri-tjetrin duke u harmonizuar në mënyrë që të shkojmë gjithmonë drejt rezultateve edhe më të larta, edhe më të mirë, sepse besoj që i kemi të gjitha mundësitë dhe kapacitetet.” – vuri në dukje gjatë fjalës së tij Presidenti Nishani. Në fakt, një nga qëllimet e takimit të kreut të shtetit me Kombëtaren, ishte dhënia e nënshtetësisë shqiptare për trajnerin italian të kuqezinjve. Duke përfituar nga ky takim, Kryetari i Shtetit shqiptar i dorëzoi personalisht trajnerit të ekipit kombëtar të futbollit, Xhovani De Biazi dekretin e dhënies së shtetësisë shqiptare.
Nishani i ka uruar njëkohësisht dhe përzemërsisht suksese dhe punë të mbarë në drejtimin e futbollistëve shqiptarë si dhe të përmbushjes së ëndrrës mbarëpopullore për një kualifikim të mundshëm të Shqipërisë në Kampionatin Evropian të Futbollit të vitit 2016. Nga ana e tij, De Biazi ka shprehur mirënjohjen e tij për dhënien e pasaportës shqiptare, duke e cilësuar këtë si një vlerësim të punës së tij me Kombëtaren kuqezi. Ndërsa kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana e falënderoi Kreun e Shtetit për vizitën inkurajuese si dhe mbështetjen e vazhdueshme personale dhe institucionale. Presidentit iu dhurua më pas në emër të ekipit edhe një top futbolli me firmat e të gjithë lojtarëve të përfaqësueses shqiptare.