AlbanianSport.com 13/09/2018 13:55
ASNN – Tifozët janë shpirti i sportit dhe arsyeja për të cilën në fakt ai luhet. Dhe një prej grupimeve më të njohura të futbollit shqiptar janë “Tifozët Kuq e Zi”, të cilët janë pritur të enjten nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.
“Me rastin e 15-vjetorit të themelimit të këtij tifo-grupi, pata sot kënaqësinë të zhvilloja një takim të përzemërt me një përfaqësi të tyre, të cilët i falenderova për kontributin dhe i inkurajova të jenë përherë pranë Kombëtares në sfidat e radhës”, – shkruan kreu i shtetit në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”.
““Tifozat Kuq e Zi” janë frymëzimi i Kombëtares tonë dhe padyshim “lojtari i 12” i saj, – vijon më tej ai. – Me dashurinë e jashtëzakonshme për kombin, energjinë e pashtershme dhe qytetarinë e tyre, “Tifozat Kuq e Zi” e kanë lartësuar më së miri flamurin shqiptar në arenat sportive.”
“Motivim i jashtëzakonshëm për yjet e Kombëtares sonë dhe adrenalinë e paparë për zemrën e çdo shqiptari që rreh për ngjyrat kuq e zi”, – përfundon Presidenti i Republikës, Ilir Meta.