AlbanianSport.com 09/02/2019 23:00
ASNN – Presidenti i Republikës, Ilir Meta, gjatë vizitës që po bën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e ceremonisë së lutjeve, ka shfrytëzuar praninë e tij në Amerikë për të dekoruar dy ikona të futbollit shqiptar, ish-portierin e Kombëtares Koço Dinella, si dhe ish-futbollistin e Dinamos, Frederik Gjinalin, me “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, për paraqitjet e tyre mbresëlënëse me skuadrat e tyre dhe me ekipin përfaqësues.
Veçanërisht në ndeshjen e madhe ndaj Gjermanisë Perëndimore në vitin 1967. Për Dinellën motivacioni i dhënies së dekoratës ishte “Për talentin e spikatur dhe kontributin ne vyer në lojën e futbollit, duke dëshmuar cilësi të rralla si sportist i shkëlqyer në ekipin e Skënderbeut dhe atë Kombëtar, për përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.” Kurse për Frederik Gjinalin motivacioni i dhënies së titullit “Mjeshtër i Madh” ishte pak a shumë i njëjtë.
“Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar në arritjet e skuadrës së futbollit Dinamo, si dhe përfaqësimin dinjitoz me ekipin kombëtar shqiptar, veçanërisht me rezultatin në ndeshjen ndaj Gjermanisë (1967)”. Të dy të dekoruarit nga Presidenti i Republikës Ilir Meta kanë pasur një kontribut të vyer në ndeshjen e vitit 1967, duke qenë protagonistë në fushë, ndërkohë që Gjinali realizoi dhe një gol në portën e gjermanëve, që u anulua në mënyrë të padrejtë.
Ata ishin pjesë e një brezi të shkëlqyer me Panajot Panon e të tjerë, që bënë një ndeshje të madhe që do të mbahet mend gjatë.