AlbanianSport.com 06.02.2015 10:25
ASNN – Duket se ka zgjatur vetëm pak javë presidenca shqiptare në klubin e Parmës. Mediat italiane bëjnë të ditur se kompania “Dastraso Holding”, pas të cilës qëndronte biznesmeni Rezart Taçi dhe e përfaqësuar me presidentin e klubit Ermir Kodra, ka shitur aksionet e saj. Shkak për këtë vendim janë bërë bilancet e klubit të rënduara nga borxhet e shumta të akumuluara nga presidenca e mëparshme.
Që në fillim të marrjes së drejtimit të Parmës nga Ermir Kodra, gjërat nuk shkuan në drejtimin e duhur, ndërsa kjo gjë u pasqyrua edhe me largimin e pjesës së më të madhe të skuadrës në merkaton e janarit. Po ashtu, sipas mediave italiane, “Dastraso Holding” është detyruar të shesë shumicën e aksioneve të klubit pasi më 15 shkurt mbyllej afati i fundit për të paguar pagat e prapambetura të futbollistëve dhe detyrimet në taksa.
Nëse kalohej ky afat, edhe lojtarët e mbetur në skuadër do të ishin të lirë të largoheshin si dhe të nisnin veprimet ligjore në dëm të klubit. Duke qëndruar në raportimet e mediave lokale, ajo që ka blerë shumicën e aksioneve të Parmës është një kompani ruso-sllovene, e cila ka marrë përsipër edhe shlyerjen e detyrimeve financiare brenda afatit të përcaktuar.
Me pak fjalë, kaosi në drejtimin e Parmës nuk ka fund. Shqiptari Rezart Taçi që për mediat italiane bleu klubin nga Girardi në muajin dhjetor, e ka shitur sërish atë. Mediat nuk përmendin blerësit e rinj, por hamendësohet për një grup industrial lombard me lidhje të forta në Rusi. Sipas tyre, Taçi dështoi në përmbushjen e zotimeve që nënshkroi kur bleu klubin, më i rëndësishmi prej të cilëve pagesa e rrogave të prapambetura.
Por përtej përfshirjes së shqiptarëve, kriza tek Parma duket se i ka rrënjët në vitin 2012. Në atë kohë klubi investoi në lojtarë të rinj me shpresën e nxjerrjes së talenteve nga shitja e të cilëve do të siguronin shuma të mëdha parash. Në atë kohë u blenë plot 230 lojtarë, që Parma shpërndau në gjithë Evropën, kryesisht në Slloveni përmes binjakëzimit me një klub vendas.
Në vitin 2013 ky numër u ul në 130, ndërsa tani skuadra emiliane ndodhet pranë falimentimit. Afati përfundimtar për pagesat e prapambetura të lojtarëve është vendosur data 15 shkurt, pas kësaj date, lojtarët (të paktën ata që kanë mbetur ende) do të largohen. Klubi emilian u përpoq të siguronte disa të ardhura nga shitjet e 9 lojtarëve në muajin janar, por shumat ishin qesharake. Mjafton të përmendet transferimi i Pocos, i larguar për 1 mijë euro.