AlbanianSport.com 26.11.2014 21:40
ASNN – Volejbollistja shqiptare, Arjola Prenga, e ka udhëhequr skuadrën e saj norvegjeze, Stod Volejin, drejt kualifikimit për në turin e 16-shes së veprimtarisë kontinentale të rrjetës së femrave, që njihet si “Çellenxh Kap” (Challenge Cup), duke e fituar edhe ndeshjen e kthimit të turit të 32-shes së ndaj holandezeve të Sliedreht Sport, me rezultatin 3-1.
Kampionet e Norvegjisë dhe kampionet në fuqi të Ligës Nordike e patën fituar ndeshjen e para dy javëve në fushën e tyre, duke triumfuar në 3 sete, dhe shkuan në ndeshjen e sotme të ndërgjegjshme se edhe humbja me sete të fituara do t’i kualifikonte për më tej. Megjithatë, skuadra e udhëhequr nga volejbollistja shqiptare, që ka luajtur në të 4 setet, duke realizuar 13 pikë, nuk i ka lënë asgjë në dorë fatit.
Brenda vetëm 21 minutash, Stod Volej e ka siguruar kualifikimin, duke e fituar setin e parë me shifrat 25-18. Edhe seti i dytë është fituar nga kampionet norvegjeze pak a shumë në të njëjtën mënyrë, brenda 23 minutash dhe me shifrat 25-17, duke bërë që fitorja të ishte tashmë pak a shumë një formalitet. Kryesimi 2-0 ka bërë që Stod Voleji ta ulë disi ritmin në setin e tretë dhe nga kjo kanë përfituar vendaset.
Sliedreht Sport e fiton setin e tretë brenda 24 minutash, me shifrat 25-20, por norvegjezet kundërpërgjigjen duke e fituar setin e 4-t brenda të njëjtit interval kohor, me shifrat 25-21 dhe gjithë ndeshjen me rezultatin 3-1. Kështu, Stod Volej dhe Arjola Prenga kualifikohen për në turin e 16-shes, ku, në bazë të shortit të hedhur paraprakisht, i presin sllovenet e Kalcit Kamnik.
Duhet theksuar se, përveçse kampione në fuqi e Norvegjisë, fituese në fuqi e Kupës së Norvegjisë dhe kampione në fuqi të Ligës Nordike, skuadra e 28-vjeçares Prenga është edhe kryesuese e renditjes së sezonit aktual të kampionatit norvegjez të volejbollit për femra. Stod Volej kryeson me pikë të plota, 12, pas 4 fitoresh në po aq ndeshje, ku Prenga ka shënuar 32 pikë.