AlbanianSport.com 03.05.2016 19:10
ASNN – Pas votimit të UEFA-s, kanë ardhur edhe reagimet e krerëve më të lartë të shtetit në Kosovë e Shqipëri. Përmes një postimi në Facebook, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar për pranimin e Kosovës në UEFA. “Tash e tutje do të luajmë në kampionate ndërkombëtare – disa lojë do t’i fitojmë, disa do t’i humbim, por kurrë më s’do të na ndalin nga fusha e gjelbër. Urime Fadil Vokrrit dhe federatës, urime lojtarëve të kombëtares sonë, urime të gjithë qytetarëve”, – ka shkruar Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili ka qenë i pranishëm në Budapest, ka thënë se ndihet shumë i lumtur dhe krenar që Kosova sapo arriti të anëtarësohet në UEFA. “Futbolli kosovar nga sot është anëtar i familjes evropiane të futbollit, UEFA-s. Shumë shpejt edhe i FIFA-s. Kosova po përjeton një periudhë të sukseseve të jashtëzakonshme”, – shkruan ndër të tjera kreu i qeverisë së Kosovës. Edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i është gëzuar pranimit të Kosovës në UEFA, ku ka uruar të gjithë që punuan për këtë arritje të madhe. “Kosova ne UEFA! Urime vellazerore dhe nje “Big Like” gjithe atyre qe punuan per kete arritje kaq te rendesishme #ForcaKosove”, – përfundon Rama. Urime për këtë pranim kanë ardhur edhe nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, si dhe ai i Shqipërisë, Ilir Meta. “Dita e shumëpritur e daljes së futbollit tonë nga izolimi i padrejtë dhe i tejzgjatur, më në fund erdhi. Urime të gjithëve për këtë fitore të madhe për Kosovën!”, – ka deklaruar Veseli. Ndërsa Meta e ka cilësuar anëtarësimin e Kosovës në UEFA, si një sukses historik dhe një ogur të mirë për integrimin e saj edhe në organizmat më të rëndësishëm ndërkombëtarë. Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar me një postim të shkurtër në “Facebook” në lidhje me pranimin e Kosovës në UEFA: “Lajmi i mire dhe i gezueshem per çdo shqiptar: Federata e Futbollit e Kosoves anetaresohet ne UEFA! Urime Kosove!”, – shkruan Basha.