AlbanianSport.com 28.04.2016 19:20
ASNN – Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA Group AUSTRIA, Avni Ponari, u bëri thirrje edhe kompanive të tjera që ta mbështesin sportin e në mënyrë të veçantë vuri theksin tek politikat lehtësuese fiskale që duhet të ndërmarrë shteti ndaj sportit. “Mund ta them me plot gojën që SIGAL ka dëshmuar se mbetet jo vetëm kompania lider në sigurime, por edhe kompania lider në mbështetjen dhe zhvillimin e sportit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni”, – tha ai.
“Unë do t’i ftoja të gjitha kompanitë e tjera, të gjitha bizneset në vend që ta mbështesin sportin, pasi aty është e ardhmja e rinisë, e ardhmja e talenteve shqiptare, të cilët duhen ndihmuar e promovuar, – tha biznesmeni që është edhe President i Federatës Shqiptare të Basketbollit. – Nga ana tjetër, duhet që edhe shteti të luajë rolin e tij nëpërmjet politikave fiskale lehtësuese, në mënyrë që sporti në Shqipëri të marrë vendin që i takon dhe Shqipëria të garojë denjësisht në arenat ndërkombëtare.”
“Djemtë tanë kanë bërë më të mirën e tyre, tani është radha jonë që të bëjmë detyrën tonë morale, është radha e shtetit të bëjë detyrën e tij, në mënyrë që t’i ndihmojmë talentet shqiptare të korrin sa më shumë suksese”, – shtoi Ponari, duke folur gjatë ceremonisë së firmosjes së kontratës midis “SIGAL UNIQA Group AUSTRIA” dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, ku ishin të pranishëm kryesia e FSHF-së, trajneri De Biazi dhe lojtarët e Kombëtares.
Ndër të tjera, SIGAL UNIQA është Sponsor Zyrtar i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Sponsor Zyrtar i “SIGAL UNIQA Balkan League”, Sponsor i Klubit të Basketbollit Valbona, Sponsor i skuadrës kampione SIGAL Prishtina, mbështetje financiare për kampionen e atletikës Luiza Gega, mbështetje financiare për Aeronautikën dhe alpinizmin shqiptar, mbështetje për maratonën “Run4Austism”, të organizuar për të mbështetur personat të prekur nga autizmi, etj.
SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA, që prej vitit 2002 udhëheq tregun e sigurimeve me mbi 30% të tregut, në të cilin operojnë 11 kompani sigurimesh, ku kompania që renditen e dyta zotëron vetëm 13% të këtij tregu. SIGAL UNIQA, e vetmja kompani e licensuar për të gjitha klasat e sigurimit dhe me 42 produkte në treg, është pjesë e “UNIQA Insurance Group”, kompanisë lider në Evropën Qendrore dhe Lindore në fushën e sigurimeve dhe investimeve. UNIQA numëron 7 miliardë Euro të ardhura vjetore dhe me mbi 27 miliardë Euro asete në menaxhim.