AlbanianSport.com 07.10.2015 07:00
ASNN – Policia e Shtetit ka bërë publike masat që do të marrë në qytetin e Elbasanit, për ndeshjen e 8 tetorit midis Shqipërisë dhe Serbisë, të cilat janë nga më të fortat e ndërmarra ndonjëherë për një sfidë futbolli, pasi ka kontroll nga toka dhe ajri. Sipas policisë: “Në orën 08:00, të datës 8 tetor do të bllokohen disa segmente rrugore si: Bulevardi “Qemal Stafa” që fillon nga Posta deri në dalje të unazës për në Librazhd. Bulevardi “Aqif Pasha”, që fillon nga 1 Maji deri tek ish-konservimi i vjetër”.
“Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth dhe përballë stadiumit, – vijon më tej njoftimi i Policisë së Elbasanit. – Me qëllim shmangien e radhëve të gjata hyrja e sportdashësve në stadium do të fillojë në orën 16:30 dhe do të mbarojë në orën 20:15. Lidhur me ndeshjen do të angazhohen 1500 punonjës policie, nga këto 308 do të jenë nga Drejtoria e Policisë Qarkut Elbasan. Nuk do të lejohet marrja e fëmijëve të mitur pa u pajisur me biletë.”
“Të gjithë sportdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, duhet të jenë të pajisur me kartë identiteti dhe nuk duhet të kenë me vete: a) sende të forta, b) shishe (të çfarëdolloj) c) fishekzjarrë d) monedha apo metale (të çfarëdolloj), në të kundërt nuk do të lejohen të futen në stadium. Në të gjitha ballkonet, ambientet dhe pallatet përreth Stadiumit, nuk do të lejohen persona që nuk janë pjesëtarë të familjes”, – përfundon njoftimi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan.