AlbanianSport.com 18.12.2014 14:20
ASNN – Në pjesën e parë, është një sulm i shpejt i miqve në zonën vendëse, që neutralizohet bukur nga Miraka. Vendësit vihen në zotërim të topit duke u zhvendosur lojën në gjysmëfushën mike. Pas minutës së 8-të janë Rapo dhe Topllari, që marrin përsipër aksionet e liqenorëve, por gabohet në zonë, ndërsa lushnjarët veprojnë me krosime për t’u afruar në zonën e Mirakës.
Përballja e dy ekipeve bëhet më shumë në mesfushë dhe loja nuk ka ritëm. Është Pengu që fton shokët e vet në zonë, por gabohet në gjuajtje. Pas minutës së 34-t lushnjarët afrohen në portën e Mirakës, por gjuajtjet e tyre janë të lehta. Në të 37-n minutë, Dervishi i miqve gjuan rreptë, por grushton Miraka dhe pjesa e parë ka përfunduar 0-0, ndërsa duhet vlerësuar dhe një gjuajtje e Shytit.
Pjesa e dytë nis me sulmet nga të dy ekipet, por në minutën e 48-të, Gjyla i ndodhur përballë Mirakës edhe mund të kishte shënuar, por liqenorët shpëtojnë për mrekulli. Kundërpërgjigjet Topllari, i cili gjuan fortë, por jashtë kuadratit të portës së mbrojtur nga Spaho. Tashmë liqenorët hedhin sytë në drejtim të portës kundërshtare dhe sulmojnë me mjaft lojtarë, kurse lushnjarët preferojnë kundërsulmin.
Janë minuta në të cilat, ashtu sikurse në pjesën e parë, mungon kronika. Vlen të përmendet mbrojtja lushnjare, që deri në këto çaste nuk lejon vendësit të rrezikojnë. Gjoni i miqve jep shkëndijën për shokët e vet, por përsëri Miraka si gjithmonë është në gatishmëri Hysenllari, tepër pozicional, mbetet futbollisti më i mirë i vendësve. Rasti i Laçkës në minutën e fundit mund të ndryshonte rezultatin. Por gjithsesi, gjithçka ka mbetur në shifrat e bardha 0-0.
Pogradeci – Lushnja 0-0
Pogradeci: Miraka, Pere (K. Rapo 46’), Bufasi, Hysenllari, Topllari, Çerepi, N. Rapo (Osmani 76’), Shyti, Pura, Çekiçi (Laçka 67’), Pengu. Trajner A. Abazaj
Lushnja: Spaho, Sula, Bizhyti, Ndoni, Bakiasi, Dervishi, Topi, Gjoni, Ruço, F.Gjyla (M. Gjyla 69’), Allkanjari (Branica 49’). Trajner: A. Bano
Gjyqtarë: I. Myrtja, M. Dervishi, F. Thorja (Shkoder)
Kartonë të verdhë: Pura, Çerepi / Topi, Bizhyti, Dervishi